Prishtina e Ulpiana, skuadrat e radhës që pajisen me GPS

Kampioni i Superligës së Kosovës Prishtina dhe skuadra e sapo inkuadruar në ligë Ulpiana janë pajisur sot me GPS nga prodhuesi “Fitogether”, iniciativë kjo në kuadër të projektit për digjitalizimin e klubeve.
Me këtë rast, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës Agim Ademi së bashku me anëtarin e Kreut Ekzekutiv Ismajl Ajetin kanë vizituar sot të dy klubet që u pajisën me GPS ku para futbollistëve dhe shtabit teknik të dy skuadrave janë shpalosur detajet e projektit të digjitalizimit të klubeve.
“Ky projekt ka për qëllim krijimin e kushteve sa më të mira për punë në klubet tona dhe shërben në rritjen e perfomancës individuale por edhe ekipore. Po ashtu, nëpërmjet këtij programi do të kemi mundësi të rrisim edhe nivelin dhe rangimin e ligës tonë, pasi edhe ashtu mendoj se jemi në një nivel më të lartë se sa që aktualisht jemi të ranguar në nivel evropian dhe botëror”, tha Ademi.
Në të dy vizitat, presidenti Ademi tregoi rëndësinë e GPS-it në futbollin e sotëm dhe u shpreh tejet i lumtur që FFK është duke i ndihmuar klubet kosovare në këtë aspekt.

Back to top button