Prishtina me program për aftësim në punësim dhe ndërmarrësi të të rinjve
Ahmeti i kënaqur që është zgjedhur komuna e Prishtinës për këtë projekt
Komuna e Prishtinës dhe USAID kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për fillimin e programit të USAID-it për përkrahjen e adoleshentëve pas mësimit të rregullt.
Slogani i këtij programi është “Përgatitja e rinisë kosovare për jetën dhe punën në shekullin XXI”.
Iniciativa e USAID-it për Përkrahje Adoleshentëve pas mësimit të rregullt është një program pesëvjeçar që ka për qëllim të zhvillojë aftësitë për punësim dhe ndërmarrësi tek rinia e Kosovës.
Drejtuesja e USAID-it, Valmira Hoxhaj, tha se ky program është shumë i rëndësishëm për komunën e Prishtinës dhe se do ketë ndikim pozitiv tek të rinjtë.
“Programi Aset është i financuar nga USAID-i dhe ka për qëllim t’iu ndihmojë të rinjve të Kosovës të zhvillojnë shkathtësitë për tregun e punës”, tha Hoxhaj.
Ndërsa, ushtruesi i detyrës së drejtorit të USAID-it, Mike De La Rosa, tha se ky projekt synon të përgatisë të rinjtë e shkollave të mesme për punë dhe ka falënderuar për përkushtim dhe për punë.
“Jemi këtu për të nënshkruar marrëveshjen e mirëkuptimit në mes të programit Aset, program ky i cili financohet nga USAID. Është një program pesë vjeçar që synon t’i përgatit të rinjtë e shkollave të mesme për punë”, theksoi ai.
I pari i Prishtinës Shpend Ahmeti, tha se është i kënaqur që është zgjedhur komuna e Prishtinës për këtë projekt dhe se beson që do të ketë ndikim pozitiv.
“Për mua është kënaqësi që po e bëjmë këtë në shkollën ‘Xhevdet Doda”’, pra krijimin e qendrës për ndërmarrësi dhe karrierë”, tha kryetari Ahmeti.
Përveç komunës së Prishtinës nga ky projekt do të përfitojë edhe komuna e Gjakovës, përkatësisht shkolla e mesme “Hajdar Dushi”.