Prishtina ndan 50 mijë euro për Shqipërinë

Prishtina solidarizohet me Shqipërinë

Kuvendi Komunal i Prishtinës ka votuar sot në mënyrë unanime për ndarjen e 50 mijë eurove për ndihmë nga pasojat e tërmetit në Shqipëri.

Po ashtu është bërë e ditur se ekipe të inxhinierëve nga komuna dhe NPB do t’i bashkëngjiten ekipeve të inxhinierëve të ndërtimtarisë nga Kosova e Shqipëria për të ndihmuar në vlerësimin e dëmeve në ndërtesa kolektive e në shkolla në Durrës e rrethinë, shkruhet në njoftimin e Adonis Tahiri , drejtor i Inspekcionit në komunën e Prishtinës.

Komuna e Prishtinës falënderon të gjithë asamblistët për gatishmërinë për të ndihmuar edhe më tutje sipas nevojës.

Përveç Prishtinës edhe Komuna e Mitrovicës ka njoftuar se ka ndarë 20 mijë euro për ta ndihmuar Shqipërinë. Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, tha se vendimi është marrë me qëllim që sado pak t’u dilet në ndihmë këtyre banorëve, të cilët janë përballur dje me lëkundje të forta tërmeti.

Ndërsa Qeveria e Kosovës ka ndarë 500 mijë euro për viktimat e tërmetit në Shqipëri.

Rreth orës 04:00 të mëngjesit në ditën e djeshme, Shqipërinë e goditi tërmeti me magnitudë 6.3 shkallë të rihterit me epiqendër në Tiranë. Ky tërmet dridhi edhe Kosovën, me lëkundje që u dëgjuan edhe në vendet tjera si Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina, Kroacia, Bullgaria dhe Italia. Raportohen se deri tani kanë mbetur të vdekur 29 persona në Shqipëri nga ky tërmet./21Media

Back to top button