Prishtina së shpejti nën vëzhgimin e kamerave

Me qëllim që të parandalohen aktivitetet kriminale dhe të ketë më shumë siguri në Prishtinë, së shpejti rrugët e kryeqytetit do të jenë nën vëzhgimin e kamerave të cilat sipas Komunës së Prishtinës, kamerat do të monitorohen vetëm nga Policia. Ndërkaq njohësit e sigurisë e konsiderojnë të vonuar vendimin e komunës.

Shumica e rrugëve së shpejti do të jenë nën vëzhgimin e kamerave, të cilat do vendosen në së paku 200 lokacione.

Sipas drejtorit për siguri dhe emergjenca, Lulzim Fushtica, kamerat do të monitorohen nga policia.

“Qëllimi dhe objektivi kryesorë është parandalimi i aktiviteteve kriminale mirpo edhe zbulimi i aktiviteteve kriminale që ndodhin në kryeqytet, përmirësimi i komunikacionit dhe përmirësimi i sigurisë publike, kamerat do vendosen në të gjitha pjesët e kryeqytetit. Janë 200 lokacione ku do vendosën, sheshet kryesore udhëkryqet dhe hyrjet dhe daljet. Realisht ne do të fillojmë këtë vit dhe këtë muaj do fillojmë me punime me vendosje të kabllove mirçpo shpresoj që brenda këtij viti të jenë dhe shumë shpejtë do të jenë kamerat e para funksionale sistemi i kamerave do të monitorohet nga policia ashtu siq është e parapame me ligj”, tha Fushtica për RTV21.

Marrë parasyshë veprat jo të pakta kundërligjore në kryeqytet, qytetarët e vlerësojnë këtë vendim të Komunës.

“Mendoj qe është vendim i qëlluar për të i vendos kamerat për qytet sidomos për disa qendra. Sepse po ndodhin ngjarje. Duhet me qenë nën vëzhgim ani pse privatësia ekziston”, tha qytetari Zymer Mramori.

“Kish qenë e mirë sepse qytetarët e Prishtinës kur po enden nëpër Prishtinë po frikësohen prej keqbërësve prej hajnave dhe kjo do ishte ma e mira”, tha qytetari i Asdren Ismaili.

“Shumë mirë, po ndodhë gjithçka gjithfarë krimesh vjedhje gjona”, tha Luan Hoxha.

“Nuk mendoj që është keq, bile është dasht më herët me i vënu kamerat”, tha për RTV21 Sabri Musliu, qytetar.

Ndërkaq eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, shpesh e ka potencuar nevojën e vendosjes së kamerave të sigurisë në komunën e Prishtinës.

“Në fakt mund të them se është vendim i vonuar, çështja e kamerave dhe vendosjes së kamerave nëpër qendra ku ka mund të them 1 lëvizje të theksuar të qytetarëve apo edhe vende ku ka me pak lëvizje është tejet e nevojshme dhe ndikon drejtpërdrejtë në rritjen e sigurisë”, tha Elezi për RTV21.

Për projektin e vendosjes së kamerave në kryeqytet, janë ndarë 1.3 milion euro./21Media

Back to top button