Problemet që shfaqen duke injoruar emocionet

Emocionet janë komponenta dhe pjesë shumë e rëndësishme të jetës së një individi. Janë përvoja me kohëzgjatje mesatare që lindin si përgjigje ndaj një ndryshimi në raport me mjedisin që na rrethon dhe janë një vlerësim subjektiv i asaj që po ndodh.
Psikoterapeuti Yll Avdijaj, në një intervistë për rtv21.tv ka treguar se emocionet kryesisht shfaqen si lloj sinjale që na ndihmojnë të përcjellim qëndrimin tonë ndaj gjërave të caktuara tek njerëzit e tjerë.
“Janë mekanizma të pavetëdijshëm me anë të të cilave tentohet të rregullohet qasja dhe raporti që kemi në bashkëveprim me të tjerët”, ka treguar ai.
Tutje, psikoterapeuti ka theksuar se zakonisht njihen 7 emocione bazike si: frika, pikëllimi, zemërimi, trishtimi, neveria, befasia dhe gëzimi.
Nga këto 7 emocione, Avdijaj ka thënë se rrjedhin edhe shumë ndjesi emocionale tjera të ndryshme.
Problemet që shfaqen duke i injoruar emocionet?
Mos rrjedhshmëria lirshëm e emocioneve, bllokimi apo edhe injorimi i tyre, ka tendenca që të shkaktojë konflikte të brendshme të cilat sjellin gjendje jo të mira, parehati, shqetësime, konfuzione dhe tensione psiko-emocionale dhe fizike në jetën e individit.
Avdijaj ka theksuar se më pas, kjo gjendje mund të kalojë edhe në dimensionin e jashtëm e që mund të shkaktojë edhe konflikte të jashtme me njerëzit dhe ambientin që e rrethon, e gjithë kjo si rezultat i mosnjohjes dhe mosmenaxhimit të duhur ndaj aspektit emocional.
“Mos-kujdesi ndaj aspektit psiko-emocional dhe mos-trajtimi në periudha më afatgjata rrezikon që të kalojë deri në çrregullime psiko-emocionale”, ka theksuar Avdijaj.

A mund të frenohen emocionet e vështira në një moment të tensionuar dhe si?
Emocionet si komponente të tilla, ekzistojnë dhe shërbejnë si një lloj rregullatori i brendshëm që tenton ta ruaj mirëqenien e individit.
Në rastet e përvojave traumatike, Avdijaj ka thënë për rtv21.tv se ndodhë që emocione të caktuara të bllokohen në zona të caktuara të trupit, ku më pas e pamundësojnë qarkullimin e lirshëm të tyre dhe e pengojnë vënien e ekuilibrit në mes aspektit të brendshëm dhe atij të jashtëm të individit.
Nga këto bllokime emocionale, psikoterapeuti ka theksuar se shpeshherë dinë të akumulohet energji e tepruar e që më pas fillon të shfaqet si një lloj tensioni i pakontrolluar, që rezulton deri te shfaqja e ankesave psikosomatike. Sipas tij, në rastet kur bëhet fjalë për përvoja traumatike, zakonisht tentohet që emocionet të frenohen ose të ndrydhen, e që më pas ndodhë që edhe të shpërthejnë. Ajo që është më e frytshme dhe rruga e duhur që duhet ndjekur është vetëdija për emocionet tona dhe njohja e tyre, qofshin ato të shoqëruara me ndjenja pozitive ose negative, pranimi i tyre, komunikimi dhe bashkëveprimi me to, të lejuarit që ato të rrjedhin lirshëm ngase kjo është mënyra më e mire për të menaxhuar me to.
“Pra, emocionet nuk do të duhej që të frenohen e as të ndrydhen, por të menaxhohen, dhe një gjë e tillë zakonisht mësohet nëpër trajnime të ndryshme, punëtori dhe seanca psikoterapeutike me ndihmën e trajnerit, psikologut dhe psikoterapistit”, ka përfunduar Avdijaj./21Media

Back to top button