Problemi i ujit në fshatrat e Sarajit, në prag të zgjedhjeve nis ndërtimi i një rezervuari

Fshatrat e komunës së Sarajit si Bukoviçi, Bojana, Rashçe, Laskarca e Sfillarja me vite të tëra kanë problem me ujin e pijshëm.
Kryetari i kësaj komune Blerim Bexheti, tani në prag të zgjedhjeve lokale, bashkë me ministrin e transportit Bllagoja Boçvarski dolën mbi fshatin Rashçe, për të treguar se kanë filluar punimet për ndërtimin e një rezervuari të ujit, i cili do të ndihmojë këto fshatra që të kenë ujë.
“Kemi ardhur të inspektojmë punimet për ndërtimin e rrjetit të ri të ujësjellësit, Rashçe, Kopanicë, Bojanë,  Bukoviç dhe Laskarcë”, tha Bllagoja Boçvarski – ministër i Transportit dhe Lidhjeve.
Por ministri i Transportit të Maqedonisë  së  Veriut nuk e përmendi fshatin Sfillare, andaj pyetëm kryetarin e komunës.
Për banorët e fshatit Sfillare, çfarë do të ndërmerrni për ato që kanë probleme me ujin?
Blerim Bexheti: Cilës Sfillare?
TV21: Sfillare e Poshtme
Blerim Bexheti: “Aty një pjesë e Sfillares kanë problem dhe jemi në komunikim me ujësjellësin që është në kuadër të Qytetit të Shkupit, ka problem edhe një pjesë në Kondovë, dhe ne një nga një do ti zgjedhim problemet”.
Projekti i cili u promovua do të kushtojë 40 milion denarë, ndërsa  sipas kryetarit Bexhetit faza e parë e punimeve do të përfundojë për dy muaj./TV21

Back to top button