Konstituohet Komisioni Hetimor parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë, i kryesuar nga deputeti Hajrullah Çeku me 11 anëtarë të tjerë. Sot deputetët kanë diskutuar lidhur me aktivitetet e komisionit.

Çeku prezantoi draft-planin dinamik për gjashtë muajt e ardhshëm për hetimin e të gjithë procesit të privatizimit nga ish-AKM-ja dhe pas saj AKP-ja.

“Ky Komision do të hetojë gjithcka sa i përket qindra valëve të privatizimit për 20 vjet”, theksoi Çeku.

Ky draft-dokument brenda një jave do të anlizohet nga anëtarët, për t’u votuar pastaj në mbledhjen e ardhshme pas një jave, të hënën më 27 korrik.

Anëtari i këtij komisioni, Sejdi Hoxha nga PDK-ja pati vërejtje për këtë plan, pasi siç tha drafti pak a shumë është i politizuar. Ai propozoi që të futet në plan se a janë përmbushur kontratat e plota të privatizimit.

Po ashtu edhe anëtarja tjetër Doruntinë Maloku nga LDK-ja tha se drafti nuk i qëlluar pasi ka konstatime.

Ndërsa, Liburn Aliu anëtar nga VV tha se ky hetim s’ka si mos të jetë politik, pasi në procesin e privatizimit janë përfshire njerëz të politikës.

Gazmend Bytyqi, zëvendëskryesues i komisionit nga radhët e PDK-së, tha se

duhet të sqarohet në këtë hetim që nuk ka ish-komandantë të UÇK-së dhe zyrtarë të PDK-së që kanë privatizuar fabrika siç është rasti në regjionin e Ferizajt.

Deputeti Bekë Berisha nga AAK pret që punën e madhe ta bëjnë ekspertët, pasi sipas tij dihet se ka pasur keqpërdorime në këtë proces.

Ky komision që është formuar me kërkesë të PDK-së pritet të angazhojë edhe ekspertë hetimorë për privatizim./kp