Hapet thirrja për aplikim për grante e subvencione në bujqësi

 

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka hapur sot thirrjen për aplikim për fermerët, agro-përpunuesit dhe bizneset rurale për disa masa të Programit të Zhvillimit Rural 2020-2021 dhe për të gjitha masat e Programit për Pagesat Direkte për vitin 2020, që përfshin një buxhet prej 53 milionë eurove.

Kreu i kësaj ministrie, Besian Mustafa, tha se përmes këtyre dy programeve synojnë të mbështesin këta sektorë.

Ai tha se bazuar në trendët e viteve të kaluara, presin që me këto 53 milionë euro të financojnë rreth 865 projekte të granteve dhe rreth 47.000 subvencionime.

“MBPZHR sot ka hapur thirrjen për aplikime për fermerët, agropërpunuesit dhe bizneset rurale për disa nga masat e programit të zhvillimit rural 2020-2021 dhe për të gjitha masat e programit për pagesa direkte për vitin 2020 me një buxhet prej gjithsej 53 milionë euro. Këto dy programe kanë për qëllim mbështetjen e aftësisë konkurruese të sektorit agrorural, rritjen e prodhimit dhe të produktivitetit në bujqësi, përmirësimin e sigurisë së ushqimit, përdorimin e teknologjisë moderne, diversifikimin e aktiviteteve në ferma dhe biznese rurale, mbrojtje të mjedisit dhe të resurseve natyrore, krijimin e vendeve të punës dhe përmirësimin e bilancit tregtar të produkteve bujqësore dhe ushqimore në vendi tonë”, tha ai.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, tregoi hapat që kanë ndërmarrë me qëllim të rritjes së transparencës dhe menaxhimit më të mirë të zbatimit të këtyre dy programeve.

Ai tha se tek programi i zhvillimit rural në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe duke përfituar nga përvojat e tyre globale, kanë zhvilluar aplikimin tërësisht online për grante, gjë që sipas tij, rritë transparencën dhe barazinë në miratim të aplikacioneve, përmirëson menaxhimin e granteve dhe ndihmon në menaxhimin e pandemisë COVID-19.

“Të gjithë përfituesit e të gjitha granteve për periudhën 2020-21 do të përfitojnë 50% paradhënie, me garancion bankar, duke rritur kështu likuiditetin dhe mundësinë për të investuar në biznese agro-rurale. Për të ju përshtatur kalendarit sezonal në bujqësi, Programi i Zhvillimit Rural 2020-21 do të këtë më shumë se një thirrje, duke filluar sot me këta sektorë: MASA 101: investimet në pasuritë fizike në ekonomitë bujqësore – sektori i prodhimit të pemëve drufrutore dhe pemëve arrore si dhe serrave. MASA 103: investimet në pasuritë fizike në përpunimin dhe tregtimin e prodhimeve bujqësore – përpunimi i qumështit, përpunimi i mishit, përpunimi i pemëve dhe perimeve dhe prodhimi i verës. MASA 302: diversifikimi i fermave dhe zhvillimi i bizneseve – bletaria, prodhimi dhe promovimi i mjaltit, përpunimi i prodhimeve në fermë, zhvillimi i aktiviteteve artizanale, rritja e shpezëve për vezë dhe për mish; dhe MASA e ujitjes së tokave bujqësore”, tha ai.

Ai tha se në muajt në vijim, do të shpallin thirrje të tjera për grante deri sa të përfundon buxheti i planifikuar për periudhën 2020-2021.

Ndërsa, tek Programi i Pagesave Direkte apo subvencionet, ai tha se kanë reduktuar një numër të konsiderueshëm të dokumentacionit që kërkohet për aplikim, duke lehtësuar kështu në masë të konsiderueshme kompletimin e dosjes për aplikim e po ashtu edhe procedurat e pranimit te aplikacioneve në drejtoritë komunale përgjegjëse për bujqësi.

“Risitë e Programit për Pagesat Direkte, pra subvencionet, për vitin 2020 janë: subvencioni për lopët dhe buallicat qumështore është rritur nga 70 në 85 euro për krerë, subvencioni për delet dhe dhitë është rritur nga 15 në 20 euro për krerë, subvencioni për frutat e mjedrës të dorëzuar apo shitur është rritur nga 8 në 12 cent për kilogram, subvencioni për perimet që kultivohen në ambiente të mbrojtura, pra serra, është rritur nga 300 në 450 euro për hektar, subvencioni për therjet e raportuara të gjedhit në thertore të licensuara është rritur nga 50 në 75 euro për krerë, subvencionimi për herë të parë për bimët mjekësore dhe aromatike (BMA), në vlerë prej 450 euro për hektar. Ky sektor ka treguar potencial të shkëlqyeshëm për eksport duke ndihmuar në zbutjen e bilancit negativ tregtar të vendit tonë. Bazuar në trendët e viteve të kaluara, presim që me këto 53 milion euro të financojmë rreth 865 projekte të granteve dhe rreth 47.000 subvencionime”, tha ai.

I pari i Bujqësisë u ka bërë thirrje komunave që gjatë kësaj periudhe t’u ofrojnë përkrahje maksimale drejtorive të tyre të bujqësisë në menaxhimin e procesit të pranimit të aplikimit nën protokollin e menaxhimit të COVID-19.

Thirrja për aplikim për Programin e Zhvillimit Rural, për grante, do të jetë e hapur nga sot më 20 korrik deri më 20 gusht 2020 me rikujtimin që do të ketë edhe thirrje të tjera për grante deri në shfrytëzimin e buxhetit deri në dhjetor të vitit 2021.

Ndërsa, thirrja për aplikim për Programin e Pagesave Direkte, për subvencione, do të jetë e hapur nga sot më 20 korrik deri më 14 gusht 2020.

Back to top button