Procesi i dialogut, Haradinaj: Patate e nxehtë është bërë me keqmenaxhimin e Kurtit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj, sonte në emisionin “Click” të RTV21 ka thënë se kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka mungesë vizioni sa i përket dialogimit me Serbinë.

“Kurti ka zgjedh një mënyrë të veten të negocimit që mendoj që është mungesë vizioni”, ka thënë Haradinaj.

Ai tutje ka thënë se ka pasur mundësi që të gjendet një formë reale që amerikanët me qenë në tavolinë çdoherë.

“Ashtu siç është Borrell dhe Lajçak me qenë edhe përfaqësuesi i Amerikës. Dikur na frikësojshin me kërkesën e Rusisë, por pas luftës në Ukrainë, Rusia më nuk ekziston në tavolinë të këtillë”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka theksuar se në këtë rast Kurti ka shkuar në drejtim të gabuar dhe se ka shumë vërejtje në mënyrën se si po menaxhon.

“Mos të harrojmë, procesi i dialogut nuk është i Kurtit, nëse dikush mendon që Kurti ka merita dhe faje pse kemi dialog, nuk është proces i tij, sikurse nuk janë poashtu as temat që po i flasim produkt i tij. Asociacioni është një temë e hershme e lindur nga Qeveritë para tij, njëkohësisht edhe procesi i dialogu…”, ka thënë Haradinaj.

Tutje, ai për këtë çështje ka thënë se ‘patate e nxehtë’ është bërë me keqmenaxhimin e Kurtit.

“Mënyra se si ai e ka menaxhuar dialogun, ikja nga amerikanët, veprimet jo në koordinim me ta sidomos në veri e shumë procese tjera kanë ndiku që të kthehet në ‘patate të nxehtë’”, ka thënë Haradinaj./21Media

Back to top button