Procesi mësimor shtyhet edhe për 2 javë

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagacvci sot ka informuar se procesi mësimor në Kosovë është shtyrë edhe për dy javë.
Ajo ka bërë të ditur se do t’i respektojnë rekomandimet e Institutit të Shëndetit Publik, sepse shëndeti duhet të jetë mbi të gjitha.
“Me shpresë se pas dy javësh gjendja do të stabilizohet dhe procesi mësimor të nis ashtu siç kishim planifikuar, pra me prezencë fizike, mësimdhënësve ju dëshiroj shumë suksese gjatë këtij trajnimi dhe në vitin e ri shkollor.”, ka shkruar ndër të tjera ministrja në facebook.
Ndryshe, Qeveria është duke mbajtur mbledhje, në të cilën pritet të votohen masat e reja Anti-Covid. Lajmin për rtv21.tv e ka bërë të ditur zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili ka bërë të ditur se mbledhja pritet të përfundojë pasdite.
“Qeveria është duke mbajt një mbledhje elektronike ku do të votohen masat e reja kundër pandemisë. Mbledhja pritet do të përfundojë gjatë pasdites. Me të përfunduar, do të ju njoftojmë për vendimet e miratuara”, ka bërë të ditur Kryeziu.
Masat e reja pritet të jenë në fuqi deri më 26 shtator 2021./21Media

Back to top button