Prodhuesi gjerman i tankeve Leopard shpreson të hapë fabrikë në Ukrainë

Prodhuesi gjerman i armëve Rheinmetall, i cili prodhon tankun e betejës Leopard midis armëve të tjera të rënda, shpreson të hapë një fabrikë tankesh në Ukrainë, ka thënë CEO Armin Papperger për një gazetë gjermane.
Papperger, siç citohet nga e përditshmja “Rheinische Post” gjatë fundjavës, tha se negociatat për ndërtimin e një fabrike të tillë janë në vazhdim dhe një vendim mund të merret brenda dy muajsh.
Një fabrikë e mundshme do të kushtonte rreth 200 milionë euro, ose rreth 214 milionë dollarë dhe mund të ndërtoheshin rreth 400 tanke çdo vit, tha Papperger për “Rheinische Post”.
Sistemet e mbrojtjes ajrore mund të jenë në vend për të mbrojtur një strukturë të tillë, tha ai.
Papperger shtoi se një version i ri i tankut luftarak plotësisht të digjitalizuar “Panther” mund të ndërtohet në Ukrainë.
Rheinmetall është prodhuesi më i madh i armëve në Gjermani me rreth 25,000 punonjës.
Në janar, prodhuesi i armëve tha se kishte 139 Leopardë në magazinë, por prej tyre, vetëm 29 Leopard 2 do të ishin gati për t’u dorëzuar në pranverën e këtij viti. Ata 29 tashmë janë premtuar teorikisht në vende të tjera si pjesë e një shkëmbimi tankesh.
Pjesa tjetër e stokut duhej të përgatitej për një periudhë më të gjatë kohore, sipas kompanisë./21Media

Back to top button