Projektet komunale, Kurti i siguroi mbështetje të plotë kryetarit të veriut të Mitrovicës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim kryetarin e veriut të Mitrovicës, Erden Atiq dhe nënkryetaren e kësaj komune, Katarina Ađančić. Ata i ka siguruar për mbështetje të plotë nga niveli qendror sa i përket kërkesave dhe projekteve të kësaj komune.
Në komunikatën e Qeverisë, thuhet se Atiq e ka njoftuar Kurtin se së bashku me ekipin e tij janë duke punuar çdo ditë me intensitet të lartë për të propozuar dhe realizuar projekte që përmirësojnë mirëqenien e qytetarëve dhe shërbimet ndaj tyre.
“Duke i uruar punë të mbarë dhe mirëseardhje, kryeministri Kurti i siguroi mbështetjen e plotë kryetarit Atiq nga qeveria qendrore për kërkesat dhe projektet e kësaj komune, me qëllim zhvillimin ekonomik lokal dhe shërbimet më efikase ndaj qytetarëve. Komuna e Mitrovicës Veriore, është e hapur dhe transparente, drejtorët komunalë janë përzgjedhur për të përfaqësuar frymën multietnike dhe bashkërisht po punojnë me përkushtim, pa përjashtim dhe me profesionalizëm”, thuhet në komunikatë.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?