​Arrestohen shtatë persona të dyshuar për kontrabandë me emigrantë

Një shqiptar, një palestinez, dy sirian, një algjerian dhe dy libanezë janë arrestuar nga Policia e Kosovës si të dyshuar për kontrabandë me emigrantë.

Zyrtarë policorë nga Sektori i Hetimeve-Departamenti i Policisë Kufitare, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore-Prizren, nga muaji mars kanë zhvilluar hetime ku janë aplikuar edhe masat e fshehta-teknike të hetimit ndaj disa personave nën dyshimin se të njëjtit janë të përfshirë në veprimtari penale “kontrabanda me emigrantë”.

Sipas Policisë, të hënën disa nga të dyshuarit të cilët ishin duke u hetuar janë përfshirë në një rast në Prishtinë.

“Pas kësaj, prokurori i PTh-Prizren, në koordinim me gjykatësin e procedurës paraprake, kanë lëshuar urdhër verbal për kontrolle në katër lokacione dy në Fushë Kosovë dhe dy në Mitrovicë. Dyshohet se personat e arrestuar kanë organizuar kontrabandën me emigrantë duke përdorur Kosovën si vend transit. Gjatë operacionit policor, janë arrestuar shtatë të dyshuar për përfshirje në veprën penale ‘kontrabanda me emigrantë’. Të arrestuarit janë: një palestinez, dy sirianë, një algjerian, dy libanezë dhe një shqiptar”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatit dhe përkthyesit ligjor dhe më pas, me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Back to top button