Projektligji për demarkacion të hënën në Kuvend

Mustafa dhe  Hoyt Yee u pajtuan që të hënën Qeveria t’ia procedojë Kuvendit Projektligjin për demarkacionin

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, zhvilloi një bisedë telefonike me zëvendës ndihmës sekretarin amerikan të shtetit të SHBA-ve, Hoyt Yee, ku u bisedua për zhvillimet e fundit në Kosovë.

Në një komunikatë për media dërguar nga zyra e kryeministrit të vendit thuhet se,” Kryeministri Mustafa e informoi për proceset aktuale në vend si dhe përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për avancimin e progresit dhe çështjeve të rëndësishme për qytetarët dhe të ardhmen e vendit”.

Siç njoftohet gjatë bisedës, veçmas u diskutua për nevojën që të procedohet pa vonesë në Kuvend Projektligji për ratifikimin e marrëveshje për demarkimin e kufirit me Malin e Zi, si një prej marrëveshjeve më të rëndësishme për vendin.

“Kryeministri Mustafa dhe zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Hoyt Yee u pajtuan që të hënën Qeveria t’ia procedojë Kuvendit të Kosovës Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi”, bëhet e ditur  në komunikatë.

Si rrjedhim, Qeveria e Kosovës do të mblidhet të hënën dhe ky projektligj do të përcillet në Kuvendin e Kosovës. “Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Hoyt Yee, e konsideroi vendim të duhur adresimin e kësaj çështje të rëndësishme për Kosovën dhe qytetarët e saj, duke shprehur bindjen se kjo marrëveshje do të votohet nga të gjithë deputetët e Kuvendit”, thuhet në komunikatën e Qeverisë./21Media

Back to top button