Projektligji për Paga del në konsultim publik, këta janë koeficientët e propozuar

Ligji për Paga për sektorin publik sot ka dalë në konsultim publik dhe të gjitha palët kanë mundësi që të japin mendimet e tyre deri më 6 tetor.
Zyra e Kryeministrit duke publikuar të plotë dokumentin, ka nxjerr edhe koeficientët e propozuar për të gjithë punëtorët shtetërorë, ku sipas tyre është propozuar që të jetë paga.
Koeficientin më të lartë, 18, e ka Presidenti i vendit, pasuar nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese me 17.5 dhe më pastaj vinë kryeministri dhe kryetari i kuvendit me 17.
Kryetari i kryeqytetit është propozuar që ta ketë koeficientin e rrogës 15 dhe nën të vinë kryetarët e komunave të tjera.
Në gjyqësor prinë Kryetari i Gjykatës Supreme më koeficient 17. Po aq është paraparë të jetë edhe për Kryeprokurorin e Shtetit. Komandanti i FSK-së ka koeficient 15, kurse me 0.5 më pak vjen Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës.
Mësimdhënësit në shkollat e mesme të lartë është propozuar të vlerësohen me koeficient prej 5.8.
Në rast të miratimit, ligji hyn në fuqi tetë muaj pas publikimit në gazetën zyrtare.
Pikërisht ky ligj është përmendur si një nga arsyet përse sindikatat e punëtorëve në sektorin publik kanë hyrë në grevë. Ata kanë kërkuar të jenë pjesë e hartimit të tij, ndërsa deri në hyrjen në fuqi të tij kanë kërkuar nga 100 euro shtesë në pagë çdo muaj.
Ligji për paga qe miratuar më 2018, por atë kohë ishte rrëzuar për shkak të pabarazisë që pati identifikuar Gjykata Kushtetuese.
Një koeficient është raportuar se ka vlerën e 120 eurove, edhe pse nga zyrtarët është përsëritur në vazhdimësi se vlera e tij përcaktohet në fund, pas përllogaritjes së buxhetit të ndarë për pagat në sektorin publik./21Media

Back to top button