Prokurori: Selimi organizoi sulme ndaj 12 stacioneve policore, e ndihmuan Thaçi dhe Veseli

Në fillimin e gjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prokurorët e Zyrës së Specializuar në Hagë, në deklaratën hyrëse kanë shpalosur disa nga provat për veprat me të cilat ngarkohen ish-drejtuesit e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Prokurori i Specializuar, Matthew Holling, është shprehur se të akuzuarit mbanin poste që u bënin të mundur që të zbatonin dhe të vinin në jetë siç pretendon qëllimin kriminal të përbashkët dhe të ushtronin kontroll efektiv.

Prokurori Halling përmendi edhe një sulm kundër 12 stacioneve të policisë serbe, për çka tha se ky sulm ishte organizuar nga Rexhep Selimi dhe ndihmuar nga Hashim Thaçi e Kadri Veseli.

“Në 1997 UÇK arriti një pikë që UÇK mund të kryente sulme të shenjestruar në disa objektive serbe në të njëjtën kohë, shembull në vitin 1997, UÇK ndërmori një sulm të njëkohshëm kundër 12 stacioneve të policisë me granate hedhëse, provat do të tregojnë se ky sulm u organizua nga Rexhep Selimi dhe se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli ndihmuan për të siguruar armët e përdorura. Sulmi është përjetësuar në komunikatën numër 37 të UÇK-së“, tha ai.

Në vazhdim të deklaratës hyrëse të ZPS-së, u paraqiten me harta zonat operative, duke u ndalur te baza e shtabit të përgjithshëm.

Prokurori Matthew Halling ka thënë se këto zona ishin: Zona e Drenicës, Pashtrikut, Dukagjinit, Llapit, Nerodimes dhe Karadakut.

Ai tha se në Zonën e Pashtrikut gjendje numri më i madh i qendrave të ndalimit të përmendura në aktakuzë, në këtë çështje gjyqësore.

“Zona e Drenicës është zona e vendndalimeve të akuzuara më herët të aktakuzës si Likoci, ndërsa është edhe zona ku gjenden edhe qendrat e mëvonshme në aktakuzë si Çirezi, Baica dhe zona të tjera që janë të përmendura në aktakuzë. Zona e dytë ishte zona e Pashtrikut..10’5322Në këtë zonë gjendej numri më i madh i qendrave të ndalimit të përmendura në aktakuzë në këtë çështje gjyqësore, duke përfshirë këtu Drenocin, Llapushnikun, i cili gjendet në cep të Pashtrikut dhe Drenicës”, tha ai.

Prokurori i Specializuar Matthew Halling tha po ashtu se Jakup Krasniqi merrej me komunikatat dhe ndihmohej nga Hashim Thaçi.

“Krasniqi merrej me komunikata ndihmohej dhe suportohej nga Thaçi, e njëjta pjesë e intervistës të Selimit përshkruan se si informohej shtabi i përgjithshëm, normalisht për përmbajtjen e këtyre komunikatave përpara se ato të nxirreshin”, u shpreh ai.

Sipas tij, gjatë intervistimit në Hagë nga prokurorët e specializuar, Rexhep Selimi, ka konfirmuar postet që katër të akuzuarit kanë pasur gjatë luftës në Kosovë.

Halling prezantoi edhe një organogram të strukturës së UÇK-së të nëntorit 1998, duke iu referuar të dhënave, që sipas ZPS-së, u gjetën në shtëpinë e Jakup Krasniqit.

Kryetari i hetuesve në Zyrën e Prokurorit të Specializuar, Ward Ferdinandusse paraqiti disa komunikata të shtabit të përgjithshëm të UÇK-së.

“Që nga komunikatat më të hershme duke vazhduar edhe në periudhën e aktakuzës ku katër të akuzuarit kishin role kyçe në çdo kohë përkatëse, shtabi i përgjithshëm ndoqi një politikë të shenjestrimit të pamëshirshëm të kundërshtarëve me dhunë dhe vdekje. Komunikata e parë e ditur e shtabit të përgjithshëm doli në nëntori 1994….Komunikata njoftonte një sulm të UÇK dhe deklaronte ‘ informojmë se edhe rastet të mëparshme të atentateve në Kosovës kundër okupatorëve dhe tradhtarëve, janë kryer me njësi tona të armatosura. Poshtë okupatorët dhe tradhtarët’ kjo politikë u përsërit në mënyrë edhe më të qartë vazhdimisht nëpër komunikata gjatë viteve 96/97, 98. Komunikatat shpallnin ekzekutimet e të ashtu-quajturve kolaboracionistë dhe tradhtarë dhe se informonin se masat e tilla do të vijonin”, theksoi ai.

Ferdinandusse trajtoi edhe komunikatën 59, për të cilën më pas Hashim Thaçi kishte deklaruar se nuk e kishte lëshuar shtabi i përgjithshëm i UÇK-së.

Sipas tij, komunikata 59 akuzoi në mënyrë të rrejshme një individ të caktuar se ishte kolaboracionistë.

“Komunikata 59 akuzoi në mënyrë të rrejshme një individ të caktuar se ishte kolaboracionistë nga që siç thotë tregojnë provat anëtarët e shtabit të përgjithshëm, përfshirë Hashim Thaçin, donin që ky person të bëhej objekt keqtrajtimi në mos vdekjeje. Në një intervistë televizive të shkurtit të vitit 2019, Hashim Thaçi pretendohej se kjo komunikatë nuk ishte lëshuar nga shtabi i përgjithshëm i UÇK se ishte lëshuar nga individë keqdashës pa dijenin e shtabit të përgjithshëm të UÇK dhe se në përgjithësi disa prej komunikatave dhe deklaratave të shtabit të përgjithshëm të UÇK, nuk ishin lëshuar nga shtabi i përgjithshëm por nga ‘banhova’ persona të panjohur jashtë shtetit për të përçarë UÇK dhe për të përmbjellur konfuzion”, u shpreh ai.

Prokurori i Speciales, Alan Tieger foli edhe për një delegacion humanitar në fshati Çirez, të cilët pretendon se u keqtrajtuan.

“Ditë më vonë më 20 shtator 1998, 13 anëtarë të delegacionit humanitar në një vizitë në Çirez u arrestuan u ndaluan, u keqtrajtuan nga pjesëtarë të UÇK-së, përfshirë këtu Hashim Thaçin dhe Rexhep Selimin. Më 23 shtator drejtoria e Policisë Ushtarake në UÇK nxori një deklaratë për shtyp duke deklaruar se policia ushtarake e UÇK-së kishte arrestuar 13 citoi ‘sindikalistë përfaqësues të partisë institucionaliste në Çirez për dhe citoj sërish’ luftën e tyre përçarëse partizane robëruese institucionaliste dhe kundër luftës së UÇK dhe duke vënë në rrezik statusin politik të Kosovës. Provat do të tregojnë gjithashtu se Hashim Thaçi i tha anëtarëve të delegacionit të arrestuar se UÇK nuk e njihte Parlamentin e Kosovës”, tha ai.

Prokurori i ZPS-së thotë se kanë prova që në mes prillit 98 dhe gusht 99, anëtarë të UÇK-së, kanë hequr lirinë qindra individëve pa proces të rregullt ligjor.

“Provat do të tregojnë se mes prillit 98 dhe gusht 99, anëtarë të UÇK-së nën komandën dhe kontroll të akuzuarit u hoqën lirinë qindra individëve pa proces të rregullt ligjor. Ka më së paku 400 incidente sa i takon ndalimit të personave për të cilat ngren akuza me aktakuzë ku përfshinë persona që janë të mbajtur të ndaluar në vende të ndryshme. Këto viktima përfshinin persona që punonin pylltari, bujqësi, gazetarë persona që punonin për ndërmarrje shtetërore, mësues dhe të tjerë“, u shpreh Prokurori.

Prokurori i Zyrës së Prokurorisë Speciale përmendi tri fshatra, ku pretendohet se janë mbajtur njerëz e më pas disa prej tyre janë vrarë. Bëhet fjalë për Llapushnikun, Zllashin dhe Kleçkën.

“Do të dëgjoni prova të transferimeve që kanë ndodhur për të ndaluarit nga Likoci drejt Llapushnikut, Drenocit drejt Malishevës, Budakov-Semetisht dhe nga Bubul në Kostërc. Në gusht 98 të paktën 8 të ndaluar i transferuan nga Bare drejt Bajgorës. Në të njëjtin muaj një delegacion i shtabit të përgjithshëm ku ishte edhe Hashim Thaçi, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqit shkruan drejt Bajgorës ku shtabi i përgjithshëm në mënyrë formale emëroi udhëheqjen e lartë të shtabit të zonës operative të Llapit, në maj dhe qershor 99 të ndaluarit u transferuan nga fabrika e metalit në Kukës në vendndodhjen e UÇK në Cahan dhe në stacionin e Mupit në Prizrenit, rreth kësaj kohe Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u panë në fabrikën e metalit në Kukës”, tha ai.

Ish-krerët e UÇK-së ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Në sallën e gjyqit ku mbahej seanca gjyqësore të pranishëm ishin edhe ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët edhe njëherë u deklaruan të pafajshëm për veprat që ngarkohen.

E sot në afërsi të objektit të Gjykatës Speciale, shqiptarë të diasporës mbajtën protestë paqësore për të treguar mbështetjen e tyre për të akuzuarit, si dhe luftën e UÇK-së. Ndërsa, dje në Prishtinë u mbajt një marsh.

Back to top button