Prokuroria e Ferizajt për vrasjen e gruas shtatzënë: Kompetent për zbatimin e urdhrit mbrojtës ka qenë Policia

Prokuroria Themelore në Ferizaj, lidhur me rastin e vrasjes së gruas shtatzënë mbrëmë në Prishtinë thotë se kjo prokurori në bazë të autorizimeve të saj i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit lidhur më këtë çështje penale.

Sipas komunikatës me datë 20.07.2022, ka pranuar kallëzim penal kundër S.H, nga komuna e Shtimes, për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer vepër penale “Dhuna në familje”.

“Prokurori i çështjes ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe me datë 09.08.2022 ka intervistuar të dëmtuarën H.M, dhe ka udhëzuar palën e dëmtuar në prezencë të mbrojtësit të viktimave nga Zyra për Mbrojtjen e Viktimave që funksion në kuadër të Prokurorisë së Shtetit që të bëjë kërkesë në Gjykatën Themelore në Ferizaj, për marrjen e urdhrit mbrojtës. “ thuhet në njoftim.

Siç njofton Prokuroria, një ditë më vonë, përkatësisht me datën 10.08.2022, prokurori i çështjes ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit S.H, për veprën penale Kanosja.

“Gjykata Themelore në Ferizaj, duke vepruar në bazë të kërkesës së Zyrës për Mbrojtjen e Viktimave në Ferizaj, me datë 13.09.2022, ka lëshuar aktvendim për urdhër mbrojtje, i cili urdhër ka qenë në fuqi deri më 13.03.2023. Ky urdhër i është dorëzuar Qendrës për Punë Sociale në Lipjan dhe Policisë së Kosovës – Stacionit Policor në Lipjan dhe në bazë të këtij vendimi, kompetent për zbatimin e urdhrit mbrojtës ka qenë Policia e Kosovës. “, thuhet në njoftim.
Në anën tjetër Ministrja e Drejtësisë , Albulena Haxhiu ka paralajmëruar dorëheqje e shkarkime pasi të vërtetohet dështimi në hallkat institucionale pas vrasjes së gruas shtatzënë në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK të mërkurën.

“Momenti që do të verifikohet hallka dështuese institucionale, personi përgjegjës do të japë dorëheqje. Ju garantoj që nëse shohim dështim në hallkat institucionale, do të ketë dorëheqje apo shkarkime”, ka thënë Haxhiu pas takimit urgjent që pati me grupin e ngushtë ndërministror.

Lidhur me rastin zëdhënësi i policisë rajonale në Ferizaj, Kanun Veseli i ka thënë RTV21 se , Policia Rajonale e Ferizajt nuk ka pranuar urdhër mbrojtës për viktimën.

Kurse, portali rtv21.tv ka kontaktuar Policinë e Kosovës dhe është në pritje të përgjigjes./21Media

Artikuj të ngjashëm

Back to top button
close button