Prokuroria e Policia tregojnë çka u sekuestrua në veri

Automjete, anije, thika, pllaka antiplumb, dronë, gëzhoja e pajisje të tjera janë sekuestruar si prova materiale nga Policia e Kosovës gjatë aksionit të bastisjeve që është zhvilluar mëngjesin e sotëm në veri të Kosovës.

Policia ka njoftuar se aksioni që është zhvilluar në pesë lokacione në tri komuna me shumicë serbe në veri të vendit, ndërlidhet me sulmin terrorist të datës 24 shtator në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit.

Sipas Policisë, bastisjet janë kryer kryesisht në pronat të cilat tanimë janë të evidentuara si prona të të dyshuarve Millan Radoiçiq dhe Vladimir Radojeviq.

Pas kontrollit në pronat e të dyshuarve janë sekuestruar në cilësi të provave materiale: 2 automjete Mercedes, 4.84 Kg argjend, 2 motora 4X4, 1 Anije, 7 DVR, 2 pllaka antiplumb me dy mbrojtës, 3 thika, 2 rutera, 2 celësa të veturave, 5 gëzhoja, 1 dronë, 5 USB, 1 kamerë GoPro- SSD, 1 video kamerë me kartelë, 1 shënjestër optike, 1 Spray, 7 telefona celular.

Në njoftim thuhet se Prokuroria Speciale do të parashtrojë urdhrin ndalues në gjykatën kompetente për sekuestrim të një vile buzë liqenit të Ujmanit, një penthouse dhe një lokal.

Back to top button