Prokuroria e Shtetit reagon për kryeprokurorin nga Gjakova

Prokuroria e Shtetit ka njoftuar se ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, pas pranimit të informacioneve në media lidhur me dyshimet se kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Ramiz Buzhala, ka shpërndarë pyetjet e testit për bashkëpunëtorë profesional, do t’i marrë të gjitha veprimet e nevojshme bazuar në ligjet në fuqi.
“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, njofton opinionin publik se Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, pas pranimit të informacionit nga mediat lidhur me dyshimet e ngritura për shpërndarje të pyetjeve të testit për bashkëpunëtorë profesionalë nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ramiz Buzhala, në bazë të kompetencave që ka do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas legjislacionit në fuqi.”, thuhet në komunikatën për media nga Prokuroria e Shtetit.
Lidhur me këtë ka reaguar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka kërkuar të nisin hetimet dhe të suspendohet kryeprokurori i gjykatës Themelore të Gjakovës.
“Janë të panumërta ankesat që adresohen në Ministri të Drejtësisë lidhur me procedurat e rekrutimit në sistemin e drejtësisë. Kandidatët në vazhdimësi ankohen për punësimin e familjarëve, miqve pra për procese të kurdisura. Lajmi i sotëm nga portali kallxo.com, që kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, i ka dërguar pyetjet një kandidati për bashkëpunëtor profesional (por që gabimisht ia ka dërguar gazetares), është arsye e mjaftueshme për nisjen e hetimeve ndaj kryeprokurorit dhe suspendim të tij. Tejkalimi i detyrave, favorizimi i kandidatëve dhe keqpërdorimi i pozitës nuk duhet të tolerohen!”, ka reaguar Haxhiu.
“Ese aktakuza, Prokurori i Shtetit, Kushtetuese Kushtet”, kështu përfundon një mesazh i cili është dërguar ekipit të kallxo.com në orën 11:25 gjatë ditës së sotme. Ky mesazh i dërguar nga kryeprokurori i gjykatës Themelore të Gjakovës, Ramiz Buzhala në numrin e gazetarëve vazhdon tutje me përmbajtjen: “Pyetje: vazhdimi i paraburgimit për të mitur, kush e zgjedh drejtorin e njësitit. të performancës, dënimetuese, procedurat alternative, dallimi lirim me kusht dhe faji me kusht, dallimi në mes të parashkrimit të ndjekjes së ekzekutimit të respektimit, qëllimi i masave të diversitetit, dorëzania”. Kryeprokurori Buzhala i drejtohet dikujt se “këto janë pyetjet e testit me shkrim. Shikoni kohën deri në orën 13:00”./21Media
 

Back to top button