Emmerson: Prokuroria është jo profesionale, nuk e di cilët dëshmitarë do të ftojë

Duke diskutuar për ecurinë e hetimeve, në konferencën mbi ecurinë e çështjes ndaj Thaçit dhe të tjerëve, avokatët kanë theksuar problemin e redaktimeve të shumta në materiale.
Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, Gregory Kehoe ka thënë se në dokumentet që posedojnë janë të redaktuar, emrat e njerëzve, të vendeve dhe elemente të tjera, çka sipas tij e bënë të vështirë hetimin nga ana e mbrojtjes.
“Në redaktimet e shumta të cilat janë të pranishme janë redaktime të cilat na pengojnë në mënyrë të jashtëzakonshme, për shembull, ne flasim për paragrafin 141 të ankesës së re e paredaktuar në vitin 1998 dhe pastaj redaktim përsëri, do të thotë brenda dy rreshta ka redaktime, redaktohet vendi, redaktohen njerëzit, redaktohen gjithashtu edhe elementë operativ. Jam i sigurt që ju e keni parë dokumentin e dëshmitarëve dhe e shikoni besoj e keni parë me sytë tuaj që faqe të tëra të deklaratave të dëshmitarëve janë të gjitha bosh sepse janë me redaktime, a e pengon kjo hetimin tonë, pa diskutim. Kjo lidhur me nxjerrjen e vonuar të dokumenteve të cilat janë pjesë e fushëveprimit të materialit sipas rregullës 102(3) dhe gjithashtu edhe dokumenti që pritet nga OSBE dhe nga Kombet e Bashkuara dhe këto janë institucione të cilat na kanë thënë që duan të shikojnë arkivat e tyre për këto dokumente, kjo është një procedurë që nuk e ka bërë ZPS por që e kemi bërë ne”, ka thënë Kehoe.
Ai ka thënë se nga 326 dëshmitarë, 91 prej tyre janë anonim.
“Ne kemi 91 dëshmitarë anonim nga 326 dëshmitarë tërësisht, disa prej tyre do të japin dëshmi, por nga numri i përgjithshëm i 326 dëshmitarëve 91 janë dëshmitarë që nuk janë nxjerrë dhe jemi 68 ditë përpara gjykimit, kjo është një sipërmarrje e jashtëzakonshme, sipërmarrje që neve po e përmbushim pavarësisht kufizimeve të jashtëzakonshme që kemi përpara” ka thënë ai.
Avokati Kehoe ka thënë se ka pasur intervista të planifikuara por pas vendimit të gjykatësit është dashur të bëjë anulimin e tyre.
Këtu ai ka përmendur diplomatë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Nuk na ka thënë askush neve si mbrojtje që ndonjë dëshmitarë ka qenë i frikësuar apo nuk ka dashur të flasë me mbrojtjen, asnjë gjykatë tjetër, as Tribunal i Hagës as tribunalet e tjera nuk kanë pasur procedura të tilla, as redaktimet në ato gjykata nuk ka qenë kështu, ne na kanë vënë pranga në marrëdhëniet tona me dëshmitarët. Prokuroria ka të drejtë të flasë me këta njerëz, ka të drejtë të diskutojë me këta njerëz, por pyetja është si të merremi ne me një dëshmitar i cili është në listën e prokurorisë dhe që do të jetë edhe dëshmitar i mbrojtjes dhe prokuroria nuk ka ndërmend t’i thërras fare, ka diplomatë në Shtetet e Bashkuara të cilët nuk futën në këtë kategori, edhe në ato raste ne duhet të plotësojmë kushtet e këtij protokolli dhe t’i ftojmë ata dhe të ftojmë prokurorinë në diskutimet tona me atë dëshmitarë. Përveç faktorit kohë janë edhe gjithë këta persona të tjerë që do të vijnë në diskutimet tona me këta dëshmitarë, nga zyra administrative, nga prokuroria, kjo nuk do të na ndihmojë shumë dhe do ta pengojë procesin tonë”, ka thënë ai.
Pas kësaj një pjesë e seancës është redaktuar.
Ndërsa avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson ka kritikuar prokurorinë për mos efikasitet.
“Një prokurori e cila edhe pas dy vitesh nuk është në gjendje të paraqesë një listë reale të dëshmitarëve që synon t’i thërrasë sepse nuk e di se cilët dëshmitarë do t’i thërrasë dhe nuk mund të na e thonë këtë në kohën e afërt, sepse nuk e dinë as vet. Dhe tani për sa i përket procesit, përgatitjes së kësaj çështje për transmetim trupit gjykues, ajo çka na thotë prokuroria është se nuk duam të disiplinohemi, do të paraqitemi para trupit gjykues me numrin e dëshmitarëve që i kemi sepse askush nga ana tjetër e sallës së gjyqit nuk e ushtron një përqasje të disiplinuar të paraqitjes së provave, edhe pas dy vitesh me katër të akuzuar që mbahen në paraburgim një prokuroi që nuk ka një plan për gjykim është një nocion shokues”, ka thënë Emmerson.
Ai ka kërkuar nga gjykatësi i procedurës paraprake që të mos i jap liri tutje prokurorisë.
“Pra ne ju ftojmë që të mos i jepni më liri kësaj prokurorie por ta detyroni që të arrijë një farë vendimi apo të marrë vendime të rëndësishme gjatë kësaj vere në vend se të shkojnë në pushime verore, stafi i prokurorisë duhet të anulojë pushimet dhe të punojë, ta formulojë çështjen e vet, të tregojë se cilët dëshmitarë do t’i thërras në tre muajt e parë të gjykimit, cilët janë 107 dëshmitarët e parë dhe atë me radhitjen e saktë, pra duhet të disiplinohen për nga ana profesionale, sepse nëse nuk e bëni këtë do të keni përpara një prokurori tejet joprofesionale, absolutisht dembele dhe e dimë të gjithë se me një prokuroi të tillë gjykimi mund të zgjasë të paktën pesë deri në shtatë vjet. Është venim i juaji i nderuar gjykatës se kur arrihet pika e fundit por ne sugjerojmë që të mos e lini këtë vendim për shtator”, ka thënë ai.
Për redaktime të shumta ka folur edhe avokati Roberts i cili mbron Rexhep Selimin.
“Sa më shpejtë të vendosë dhe të komunikojë ZPS lidhur me statusin e dëshmitarëve dhe çfarë pozicioni kanë ata në procesin gjyqësor mendoj që kjo do t’i shërbejë procesit gjyqësor në përgjithësi. Sa i takon redaktimeve në aktakuzë, në dosjen paraprake, besoj e keni parë në parashtrimet tona kur kemi dhënë një rast specifik me një pretendim kur informacioni është i gjithi i redaktuar, bëhet fjalë për një pretendim konkretisht klienti im, unë nuk mund ta diskutoj këtë pretendim sepse nuk e kam idenë fare se mbi cilën bazë është ngritur një pretendim i tillë. Ky është vetëm një prej shembujve të tillë, pasoja është që unë nuk hetoj dot, ekipi im nuk mund të bëjë asnjë lloj hetimi lidhur me këtë pretendim dhe nuk e di se kur do të hiqet ky redaktim”, ka thënë ai.
Konferenca mbi ecurinë e çështjes ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit e Rexhep Selimit po vazhdon me diskutime në mes të palëve. Ndërsa të akuzuarit po marrin pjesë përmes video lidhjes.
Aktakuza ndaj Thaçit dhe të tjerëve lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020 ndërsa në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm.
Ata po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.
Më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit ku pretendon se të akuzuarit kanë kryer krime lufte në Gjilan, Budakovë e Semetishtë./kp

Back to top button