Prokuroria jep detaje për aksionin në Prizren
Prokuroria e Prizrenit sot ka zhvilluar një aksion, nga i cili ka arrestime për fajde, detyrim dhe dëmtim prone në këtë qytet. Lajmi për portalin rtv21.tv e konfirmoi prokurori, Petrit Kryeziu.
Kryeziu për rtv21.tv tha se deri më tani janë arrestuar dy persona.
Prokuroria tutje ka njoftuar se të njëjtit, dyshohen se kanë vepruar me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete duke kontraktuar shuma dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), viktimën e fajdesë nga i cili shfrytëzojnë gjendjen tejet të rënduar financiare, papërvojën e tij dhe të njëjtit i ofrojnë një shumë të të hollave në formë të borxhit të cilin më pas e ngarkojnë me kamata të larta dhe të pa përballueshme.
Bëhet e ditur se njëri nga të pandehurit, ka përdorur forcën dhe kanosjen serioze ndaj të dëmtuarit, për ta detyruar këtë të fundit të kryej veprime në dëm të pasurisë së tij dhe atë duke e sulmuar fizikisht dhe duke e kanosur me qëllim të realizimit të përfitimit nga kontraktimi i shumës dukshëm jo proporcionale, në atë mënyrë që shkon në shtëpinë e të dëmtuarit, fillon të bërtasë dhe ta shajë të dëmtuarin, më pas i’a përplasë telefonin për toke dhe e godet me grushta në pjesën e djathtë ballore dhe gjithashtu me mjet të fortë e godet në kokë, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Me aktvendim të prokurorit, të pandehurit janë ndaluar për 48 orë dhe brenda afatit ligjor do të paraqitet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të njëjtëve./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?