Prokuroria kërkon që Thaçit, Veselit dhe Selimit t’u pezullohen vizitat dhe të gjitha komunikime

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar të enjten që Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, t’u pezullohen vizitat dhe të gjitha komunikimet, përveç me ekipin e avokatëve. Sipas ZPS-së, ata kanë shkelur urdhrat e trupit gjykues duke zbuluar identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur dhe/ose shpërndarjen e përmbajtjes së dëshmisë konfidenciale për personat që i vizitojnë në Qendrën e Paraburgimit.
Hetimet e Prokurorisë së Specializuar, sipas njoftimit, kanë zbuluar përpjekje të mëtejshme për të penguar procedurat nga të akuzuarit, pasi pretendohet se kanë biseduar me vizitorë duke i udhëzuar ata të bisedojnë me dëshmitarët potencialë, dhe t’iu tregojnë atyre çka të flasin.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.