​Duka rrit apetitet: Duam t’i kalojmë grupet e Euro 2024

Kualifikimi i Shqipërisë në finalet e Evropianit “Gjermani 2024” dhe vendi i parë në Grupin E ka bërë jehonë kudo në botë sidomos në Itali, duke parë edhe numrin e lartë të futbollistëve me origjinë shqiptare që aktivizohen në klubet italiane.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka dhënë një intervistë për median italiane “Tuttomercatoweb” ku ka folur për arritjet e Shqipërisë në edicionin kualifikues që u kurorëzua me kualifikimin në Kampionatin Europian “Gjermani 2024”.

Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar tregoi se si nisi gjithçka, që nga zgjedhja e trajnerit Silvinjo në krye të ekipit Kombëtar. Presidenti Duka vlerësoi edhe lojtarët shqiptarë që aktivizohen në klubet Italiane, ndërsa shtoi se nuk dëshiron që Shqipëria të përballet në grup me Italinë.

“Pasi u kualifikuam trajneri ishte tejet i gëzuar. Ai ka bërë një punë shumë të mirë, ka arritur një objektiv të madh dhe kishte shumë arsye për të festuar. Por ama ju them sinqerisht se asgjë nuk vjen rastësisht. Duhet sakrificë dhe punë e programuar, sepse ndryshe asgjë nuk arrihet. Natyrisht, trajneri ishte regjisori, por më duhet të flas mirë edhe për Dorivën që ka luajtur në Itali. Ai është një ekspert që na ka ndihmuar shumë. Ai së bashku me Zabaletën ndërtuan një grup shumë kompakt. Mua brazilianët nuk më kanë pëlqyer shumë si trajnerë dhe kur ma propozuan nuk isha shumë i bindur. Por ama kur e takova dhe pasi folëm për projektin, atëherë më bindi. Gjithsesi sot po flasim për një mision të përmbushur. Edhe ai si trajner kaq mirë sa tek Shqipëria nuk kishte bërë askund”, tha Duka.

I pari i FSHF-së më pastaj foli edhe për synimet e Shqipërisë ku e tha hapur se synojnë të shkojnë përtej fazës së grupeve.

“Tani vjen pjesa e vështirë, do të takojmë ekipet e forta. Në letër arrijmë si një nga skuadrat më të dobëta, por duam të shkojmë përtej grupit. Nuk e di ku do të arrijmë, por i kemi kualitetet për të shkuar më tej. Dhe festa tashmë ka përfunduar, ne po përgatitemi për Gjermaninë. Trajneri është i uritur. Nuk dua të takoj Italinë, ata janë një ekip shumë i fortë edhe pse nuk kanë arritur rezultate të mira kohët e fundit”, tha Duka në fund.

 

Back to top button