Prokuroria: Ndaj Kurtit do të veprohet sipas ligjit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk i është përgjigjur urdhrit të Gjykatës Themelore të Prishtinës që të paraqitet në Prokurori ku është ftuar në cilësinë e dëshmitarit lidhur me çështjen e rezervave shtetërore.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka konfirmuar mosparaqitjen e Kurtit për të dhënë dëshminë dhe se ndaj tij do të veprohet sipas ligjit.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pas interesimit të shumë gazetarëve, informon se dëshmitari A.K. nuk është paraqitur në Prokurorinë Speciale për të dhënë dëshminë e tij edhe përkundër faktit se i njëjti ka qenë i obliguar me Urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë që të paraqitet në cilësi të dëshmitarit, për të dhënë dëshminë e tij me datë 04.03.2025 në ora 10:00, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës edhe në këtë rast penal, sikurse në të gjitha rastet tjera do të veproj duke respektuar legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Në anën tjetër, Kurti nga Gjilani ka deklaruar se është i gatshëm të dëshmojë, por i ka ftuar hetuesit e Prokurorisë Speciale që t’i shkojnë në zyrën e tij.

Sipas Kurtit, ka pasur raste më parë kur “hetuesit kanë ardhur në zyrën e kryeministrit, edhe madje jo vetëm si dëshmitarë, por edhe të pandehur”.

“Nëse prokuroria e ka pas të rëndësishme dëshminë time, ai duhet të vinte te ne. Kjo prokurori më shumë po e lufton qeverinë sesa krimin e korrupsionin”, tha Kurti të martën./21Media

Back to top button