Prokuroria nis hetimet për vdekjen e foshnjës të porsalindur në Ferizaj

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se është duke hetuar rastin e vdekjes së foshnjës të porsalindur në Emergjencën e Spitalit të Ferizajt.
Sipas njoftimit, Prokurori i Shtetit është informuar nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Ferizaj lidhur me rastin, ndërsa me vendim të prokurorit kujdestar është iniciuar hetim për veprën penale “Vrasja e foshnjës gjatë lindjes”, sipas nenit 176 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
E dyshuara, në këtë rast ndodhet në trajtim në repartin gjinekologjik të Spitalit të Ferizajt.
Ndërkohë, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i foshnjës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Prokuroria ka bërë të ditur se po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?