Prokuroria Speciale nis hetimet për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit

Prokuroria Speciale e Kosovës ka nisur hetimet pas deklarimit të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila tha se mostrat e Astrit Deharit janë zhdukur nga laboratori i Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), konkretisht nga laboratori i toksikologjisë.
Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj.
Ai shkurt tha se kanë nisur hetimet për rastin në fjalë.
“Është herët të them diçka, po kemi nisur hetimet lidhur me këtë rast”, tha Isufaj për rtv21.tv
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se mbrëmë janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë.
Sipas saj, në laboratorin ku mbaheshin mostrat kanë pasur qasje vetëm tre persona.
Haxhiu ka thënë se kjo situatë e rëndë vë hije dyshimi mbi të gjithë Institutin e Mjekësisë Ligjore. Dhe nëse ndiqet protokolli, ajo ka thënë se do të jetë e thjeshtë që të gjenden përgjegjësit./21Media