Prokuroria Themelore në Gjilan ngrit aktakuzë ndaj Rinor Hykollit

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti Përgjithshëm ka ngritur aktakuzën kundër të pandehurve Rinor Hykolli dhe Sh.Xh., për shkak të veprës penale ‘’Lëndimi i rëndë trupor’’.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Rinor Hykolli, më 22 Korrik 2021 rreth orës 00:40 minuta në diskotekën “Stop”, në Gjilan me dashje dhe me përdorimin e dhunës, për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme, i ka shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarit L.B., duke e goditur me dorezë të revoles në pjesën e pasme të kokës, e më pas e ka goditur me grushte në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit, të cilit i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore, për të cilat i njëjti ka kërkuar tretman mjekësor.
Ndërsa, i pandehuri Sh.Xh., me dashje ka ndihmuar në kryerjen e kësaj vepre penale, ashtu që me marrëveshje paraprake me të pandehurin Rinor Hykolli., e thërret të dëmtuarin L.B., duke e dërguar në vendin ku është kryer vepra penale.
Hykolli, sipas kërkesës së prokurorisë gjendet nën masën e paraburgimit që nga data 03 Tetor 2021 dhe me rastin e ngritjes së aktakuzës është propozuar që të njëjtit t’i vazhdohet masa e paraburgimit./21Media

Back to top button