Prokuroria Themelore nis hetimet për punësimet në KEK

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se pas dyshimeve se janë kryer shkelje të rënda ligjore në procesin e rekrutimit të qindra personave në një konkurs të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka nisur hetimet.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Departamenti i Krimeve të Rënda, konkretisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, pas raportimeve të publikuara në disa portale lidhur me pretendimet se janë kryer shkelje të rënda ligjore në procesin e rekrutimit të qindra personave në një konkurs të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), më 04.04.2022, ka iniciuar hetime, ashtu që do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të sqarimit të plotë të këtyre pretendimeve, konform dispozitave ligjore në fuqi.”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK ) sot ka reaguar lidhur me raportimet në media se disa prej të pranuarve janë të lidhur me partinë në pushtet – Lëvizjen Vetëvendosje. KEK përmes një komunikate kanë thënë se janë duke përcjellë me seriozitet të gjitha pretendimet publike “rreth shkeljeve eventuale gjatë procesit të rekrutimit”./21Media

Back to top button