Prokuroritë do rifillojnë punën me kapacitete të plota

Nga dita e hënë, të gjitha prokuroritë e Republikës së Kosovës, do të rifillojnë punën me kapacitete të plota.
“Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka marrë vendim për anulimin e pjesshëm të disa pjesë të vendimit nr.1458/2022 dhe nga dita e hënë, të gjitha prokuroritë e Republikës së Kosovës, do të rifillojnë punën me kapacitete të plota”, bëhet e ditur në njoftimin e KPK-së.
Sipas një komunikate të KPK-së, pezullimi i bashkëpunimit për iniciativat e përbashkëta në mes të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës do të vazhdojë deri në një vendim tjetër, ndërsa KPK dhe prokuroritë do të marrin pjesë në komisionet dhe grupet tjera ku pjesëmarrja përcaktohet me legjislacionin në fuqi.
Ky vendim i KPK-së vjen pas Aktvendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës e cila ka aprovuar propozimin për caktimin e masës së sigurisë lidhur me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për uljen e pagave të prokurorëve.
“Edhe me këtë rast, Këshilli Prokurorial i Kosovës i bënë thirrje Qeverisë të Republikës së Kosovës që të bëjë shfuqizimin e vendimit të saj Nr.03/109, të datës 23 nëntor 2022, për zvogëlimin e pagave të prokurorëve”, thuhet në njoftim./21Media

Back to top button