Propagandat e egra të Serbisë që po i kushtojnë Kosovës

Lobimi i ashpër i Serbisë

Ndonëse janë bërë shtatë vjet prej fillimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, edhe pas kaq kohësh nuk ka ndodhur diçka e tillë.

Vetëm brenda këtij viti që po lëmë pas, Serbia me anë të propagandave dhe ndalesave e ka penguar Kosovën në politikë, kulturë e sport, në lëvizjen e lirë e në fusha tjera, shkruan rtv21.tv.

Duke mos u pajtuar me faktin se tash më Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, Serbia po realizon një fushatë për tërheqjen e njohjeve nga disa shtete.

Mediat serbe kanë propaganduar se nëntë shtete kanë tërhequr njohjen e Kosovës, por që një gjë e tillë vazhdon të mohohet nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës.

Në anën tjetër lobimi i ashpër dhe fushata e egër e Serbisë i kushtoi Kosovës me mos-anëtarësim në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë, Interpol. Edhe ambasada e SHBA-së ka vlerësuar se dështimi i Kosovës për anëtarësim në Interpol është pasojë e fushatës dhe presionit që ka bërë Serbia te vendet pjesëmarrëse.

Serbia po vazhdon që Kosovën ta pengojë edhe në anëtarësim në organizata tjera ndërkombëtare.

Oda e Mjekëve të Kosovës ka njoftuar se ka pasur tendenca nga ana e Serbisë për ta penguar Kosovën në anëtarësimin në Komitetin e Përhershëm të Mjekëve Evropian

Ndërhyrja në proceset e brendshme

Edhe pse komuniteti serb në Kosovë gëzon të gjitha të drejtat e tyre si qytetarë të Republikës së Kosovës, ata jo rrallë janë përdorur nga Serbia për të penguar proceset në Kosovë. Presioni i Beogradit ndaj ushtarëve serbë të FSK-së ka bërë që dhjetëra prej tyre të japin dorëheqje nga kjo forcë.

Ndërsa partia e cila përfaqëson interesat e komunitetit serb në Kosovë, Lista Serbe ende dirigjohet nga Beogradi. Në mars të këtij viti Lista Serbe kishte paralajmëruar dorëheqjen nga Qeveria dhe formimin e asociacionit të komunave serbe duke pranuar haptas se për këtë janë konsultuar edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Qytetarët e Republikës së Kosovës të komunitetit serb që jetojnë në veri janë përdorur edhe për protesta kundër Qeverisë së Kosovës, pasi që kjo e fundit ka vendosur taksë 100% ndaj produkteve të importuara nga Serbia.

Situata ka shkuar deri në atë pikë duke thënë se nuk po kanë ushqim për të ngrënë, ndonëse kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në një intervistë televizive ka deklaruar se asnjë qytetar i Kosovës nuk do të vdes për bukë e nëse është nevoja do tu ofrohen edhe ndihma.

Në anën tjetër, edhe pse Kosova që nga viti 2008 është shpallur shtet i pavarur dhe sovran, Serbia ende Republikën e Kosovës e cilëson si “Kosovo Metohija”. Në produktet e importuara nga Serbia në Kosovë, është vendosur mbishkrimi i destinacionit të produkteve si “Kosovo Metohija”.

E Kosova ka heshtur duke tentuar të gjejë mirëkuptim me anë të dialogut deri më tani kur Serbia kaloi çdo kufi të pengimit të Kosovës në shumë procese.

Qeveria e Kosovës krahas vendosjes së taksës 100% po ashtu ka marrë vendim që asnjë produkt ku Kosova cilësohet “Kosovo Metohija” , të mos hy në Republikën e Kosovës.

Cenimi i lëvizjes së lirë

Serbia vazhdon t’i shkelë marrëveshjet në raport me Kosovën, përshirë edhe atë për lëvizje të lirë.

Kështu Ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacollit i është ndaluar të shkojë për vizitë zyrtare në Novi Pazar.

Ndalesë po i bëhet edhe personave të cilët kanë për qëllim vizitat familjare në Serbi. Akademiku Hivzi Islamit nuk ka mundur ta vizitojë familjarët e tij në Bujanovc pasi që një gjë e tillë nuk i është lejuar nga Serbia, shkruan rtv21.tv.

Pengesat e Serbisë ndaj Kosovës kanë vazhduar edhe në fusha të tjera. Serbia ka ndaluar pjesëmarrjen e delegacioneve nga Kosova për aktivitete të ndryshme të cilat janë zhvilluar në Serbi, qofshin ato ekonomike, kulturore e sportive.

Serbia nuk ka lejuar pjesëmarrjen e delegacionit kosovar në konferencën “Pavarësia Ekonomike e grave rome: sfidat dhe shkaqet e hershme”, që ishte paraparë të mbahej nga data 31 Tetor deri më datën 1 Nëntor në Beograd.

Tri foto të artistes kosovare, Eliza Hoxhës në të cilat shihen flamujt e Kosovës dhe Shqipërisë nuk janë lejuar në kufirin me Serbinë si pjesë të ekspozitës që është mbajtur në festivalin “Mirdita, Dabar Dan” në qershor në Beograd.

Edhe sporti nuk i ka shpëtuar pengesave të Serbisë. Në mars, Qeveria e Serbisë kishte vendosur që të mos e lejojë kombëtaren e saj U-20 të femrave në hendboll që të zhvilloi ndeshje me Kosovën edhe pse kjo Serbisë i kushtoi me humbje të asaj ndeshjeje, kurse me pas Federata Evropiane e Hendbollit kishe vendosur që ta përjashtojë tërësisht Serbinë nga kualifikimet për botërorin e grup-moshës U-20.

E së fundmi në Merdare është ndaluar edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga komuniteti serb Slobodan Petroviq. Ai është marrë në pyetje nga policia serbe, lidhur me zhvillimet politike në Kosovë.

Serbia vazhdoi me propagandat e saj edhe në aviacion. Në fillim të muajit dhjetor Aviacioni Civil i Serbisë ka shpërndarë mesazhe të rreme drejt operatorëve ajror, përmes të cilave është thënë se Aeroporti i Prishtinës është i mbyllur dhe nuk jepen leje për operime të trafikut ajror dhe civil. Kjo është konfirmuar nga zyrtarët e ANP-së

Po ashtu vlen të theksohet se qytetarët e Kosovës, të cilët janë të pajisur me patentë shofer të Republikës ë Kosovës, kanë hasur në vështirësi gjatë kalimit të tyre nëpër Serbi.

Kështu Serbia shkel pikën e pestë të marrëveshjes së lëvizjes së lirë e cila thotë: “Secila palë do të marrë të gjitha masat që t’ua mundësojë qytetarëve të palës tjetër të udhëtojnë lirshëm brenda dhe përmes territorit të njëra-tjetrës me patentë-shoferin e lëshuar nga autoritetet e veta”.

Plagët e luftës ende të pashëruara

Ndërkohë plagët e luftës së fundit për kosovarët ende nuk janë mbyllur. Janë 6 mijë e 57 persona të zhdukur dhe për këtë Serbia ende nuk ka dhënë përgjegjësi. Po ashtu janë rreth 20 mijë gra të dhunuara nga ushtria serbe gjatë luftës në Kosovë dhe as për këtë Serbia nuk ka dhënë përgjegjësi.

E tregimi rrënqethës mes lotësh i Vasfije Krasniqi Goodman dëshmoi se dhimbjet e kosovarëve ende janë të freskëta./21Media

Back to top button