Propozimet për zbatimin e Asociacionit

Themelimi i Asociacionit mbetet çështje e pa zgjidhur për institucionet e vendit edhe pse është pranuar marrëveshja në Bruksel dhe Ohër për themelimin e kësaj trupe. Së fundmi presidentja, Vjosa Osmani, ka propozuar se hartimi i draftit të statut të Asociacionit duhet të bëhët së bashku me SHBA-të. Por, kjo ka ngjallur reagime të shumta pro dhe kundër.

“Mendoj që zgjidhja është si vijon: Ne duhet të ulemi me SHBA-në, të përgatisim draftin tonë, draftin e Republikës së Kosovës. Fillimisht [vetëm me SHBA-në], unë mendoj se kështu është zgjidhja, të ulemi me partnerët tanë në SHBA, të prezantojmë para sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken draftin tonë”, tha Osmani.

Kjo ide e presidentes Osmani për zgjidhjen e ngërçit për Asociacionin, menjëherë pas kthimit nga SHBA, ka shpërfaqur dallimet në skenën politike në vend. E para që reagoi ishte zëvendëskryeministrja, Donika Gërvalla, dikur bashkëpartiake e Vjosa Osmanit e cila tha se Asociacioni i vitit 2013 ka vdekur. Ajo tha se duhet të diskutohet për një strukturë tjetër të komunave me shumicë serbe, e cilësuar si vetëmenaxhim.

‘’Asociacioni i vitit 2013 ka vdekur, jo vetëm për palën kosovare por edhe për partnetër tanë ndërkombëtar. Një asociacionin që do të ishte një republikë e dytë si ajo në Bosnjë e Hercegovinë”, tha ajo.

Por partitë në opozitë thonë se vetë përfaqësuesit e pushtetit nuk kanë një koordinim qëndrimesh për Asociacionin.

“Foli Vjosa e Donika për Asociacionin, të dyja me qëndrime të kundërta, por asnjëra nuk ka kompetencë kushtetuese dhe ligjore! Rendësi ka se me cilën pajtohet Albini!”, tha Ariana Musliu nga PDK-ja.

Kryeministri Kurti ende nuk ka dhënë një qëndrim zyrtar për idenë e presidentes megjithëse pas takimit të 14 shtatorit në Bruksel, pati deklaruar se nuk e pranon që Asociacioni të ketë prioritet përpara pikave të tjera të marrëveshjes së Ohrit. Deputetja e Listës Guxo, pjesë e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Jeta Statovci, ka kërkuar garanci nga faktori ndërkombëtar për zbatimin në tërësi të marrëveshjes në Bruksel dhe Ohër dhe jo vetëm pikën ku flitet për Asociacionin.

‘’Asociacioni është vetëm një pikë e marrëveshjes, duhet të garantohet edhe për zbatimin e pikave të tjera. Të mos kemi një situatë kur merret Asociacioni dhe mos të zbatohen pikat e tjera”, tha Jeta Statovci e VV-së.

Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane nga radhët e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, e përkrahë në parim idenë e presidentes Osmani që drafti për Asociacionin të hartohet së bashku me SHBA-të.

“Pavarësisht pozicioni tonë si parti opozitare, ne jemi me idenë e presidentes për Asociacionin sepse duke u nisur nga marrëveshja e vitit 2015 që duhet të implementohet vetëm pas vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese”, tha ajo.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, në emisionin “CLICK” tha se partitë politike duhet ta ndihmojnë kryeministrit në hartimin e draftit për asociacionin.

“Secila parti politike duhet me ndihmua Kurtin me dobësua asociacionin. Asociacion i cili e prek një shkallshmërinë e Kosovës prej AAK-së nuk ka mbështetje”, tha Tahiri.

SHBA-ja së fundmi ka garantuar se Asociacioni nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive duke kërkuar nga Qeveria të nis punën për hartimin e draftit të saj./21Media

Back to top button