Propozimi Evropian përshpejton anëtarësimin në partneritetin për paqe të NATO-s

Anëtarësimi në partneritetin për Paqe të NATO-s është synimi i radhës i Qeverisë së Kosovës të cilin parasheh ta bëjë gjatë këtij viti kur edhe pritet të arrihet një marrëveshje mes palëve për normalizim të marrëdhënieve në kuadër të propozimit evropian i njohur si plani franko-gjerman.
Zyrtarë të NATO-së kanë thënë se e mbështesin planin franko-gjerman, një ndër pikat e së cilit është që palët nuk duhet ta pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese teka Serbisë i kërkohet që ta mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Deputeti i Vetëvendosjes njëherësh kryesues i Delegacionit në Asamblenë parlamentare të NATO-s, Driton Hyseni, thotë se propozimi evropian e përshpejton anëtarësimin e Kosovës në partneritetin për paqe të NATO-s.
“Propozimi franko-gjerman i cili i është bërë Kosovës dhe Serbisë si një marrëveshje e normalizimit të marrëdhëniev dhe procesit të raporteve mes dy vendeve mund t’i kontibuojë por kjo do të jetë në varësi të negociatave që do të bëhen në vazhdim e sipër sa i përket këtyre dhjetë pikave të propozimit gjerman e sidomos pikës se të dyja shtetet nuk do ta pengojnë njëra- tjerën për anëtarësim në organizata. Synimi është sa më shpjetë por sigurisht që gjatë këtij viti”, tha ai.
Por ndryshe mendon deputeti i partisë më të madhe opozitare Hisen Berisha. Sipas tij plani franko-gjerman nuk e ndihmon rrugën drejt anëtarësimit në partneritetin për paqe të NATO-s përderisa nuk e përmban njohjen reciproke.
“Ky plan si i tillë ende i patrajtuar nuk e ndihmon, me hendikepet që ai i përmbane nga anlizat që janë bërë… Këto të gjitha kur i bejmë gati mendoj se na duhet t’i kemi parasyh cikat jane standardet…”, tha Berisha.
Për ish-komandantin e FSK-së, Kadri Kastrati, arritja e një marrëveshjeje mes palëve sipas propozimit evropian i hap rrugë anëtarësimit të Kosovës në partneritetin për paqe të NATO-së dhe njëkohësisht edhe kartën e Adriatikut.
“Me nënshkrimin e marrëveshjes apo propozimit franko-gjerman që është prezantuar te qeveria e Kosovës dhe Serbisë dhe me pajtimin e dy paleve dhe me nënshkrimin e marrëveshjes ku thuhet se Serbia s’do ta pengojë Kosovën të ecë drejt integrimeve rajonale globale mendoj se FSK-së automatikisht do t’i hapet rruga për anëtarësim, por para kësaj mendoj se FSK do të anëtarësohet edhe në Karten e Adrikatikut që është organizata rajonale…Nëse nënshkruhet kjo marrëveshje siç po flitet deri në muajin e gjashtë automatikisht Kosova ka të drejtë të bëjë kërkesë për anëtarësim në partneritetin për paqe dhe do ishte pozitive për Kosovën sepse vetëvetiu u hapet rruga edhe Kosovës për anëtarësim në NATO”, tha ai.
Partneriteti për Paqe është program i bashkëpunimit praktik dypalësh ndërmjet shteteve partnere euroatlantike dhe NATO-s. Sipas NATO-s, Partneriteti për Paqe ka për qëllim të rrisë stabilitetin, të ulë kërcënimet për paqe dhe të ndërtojë raporte më të forta të sigurisë ndërmjet partnerëve dhe NATO-s./21Media

Back to top button