Kaloni te përmbajtja kryesore

Protesta dhe funerale në Teheran! Irani kërkon diplomaci,Trump: ekzekutimet janë ndaluar

Irani mbajti një procesion të madh funeral në Teheran për pjesëtarë të forcave të sigurisë dhe civilë të vrarë gjatë trazirave të fundit, të cilat autoritetet i kanë atribuar “trazirave dhe terroristëve”.

Në ceremoni morën pjesë zyrtarë të lartë, përfshirë ministrin e Jashtëm Sejed Abas Aragçi, si dhe qytetarë që mbanin flamuj kombëtarë dhe fotografi të Udhëheqësit Suprem Ali Khamenei dhe të viktimave.

“Njerëzit dolën për të protestuar kundër gjendjes ekonomike të vendit. Fatkeqësisht, armiqtë e shfrytëzuan këtë situatë dhe për këtë arsye qytetarët po kërkojnë dënimet më të rënda për korrupsionin ekonomik”, tha Meyrem – banore e Teheranit.

“Të gjithë po protestojnë kundër kushteve, por askush nga populli nuk është i kënaqur që dëmtohet pasuria publike dhe ajo e qytetarëve apo që rrezikohet siguria. Mendoj se këto incidente të fundit nuk janë bërë nga njerëz të zakonshëm”, u shpreh Morteza – banor i Teheranit.

Iran International raportoi se të paktën 12.000 persona janë vrarë në protestat e fundit, por gjyqësori iranian e hodhi poshtë këtë pretendim si “të rremë dhe joreal”, duke akuzuar median për fabrikim të shifrave, pa dhënë megjithatë numra zyrtarë për viktimat.

Zyrtarët iranianë sinjalizuan të mërkurën se gjyqe të shpejta dhe ekzekutime priten për të dyshuarit e ndaluar gjatë protestave mbarëkombëtare, ndërsa Republika Islamike premtoi hakmarrje nëse SHBA-ja ose Izraeli ndërhyjnë në trazirat e brendshme.

Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, tha se nga “burime të rëndësishme” është informuar se ekzekutimet e planifikuara në Iran janë ndalur, por pa dhënë detaje, ndërsa mbetet e paqartë nëse komentet e tij nënkuptojnë heqje dorë nga ndonjë veprim amerikan ndaj Iranit. Tramp nuk ka thënë se si mund të reagojnë SHBA-të ndaj Iranit.

“Ne do të shohim dhe do të ndjekim se cili është procesi, por na u dha një deklaratë shumë e mirë nga njerëz që janë të vetëdijshëm për atë që po ndodh. Kur ata thonë ‘pa ekzekutime’, të gjithë po flisnin se sot do të ndodhnin shumë ekzekutime. Ne sapo u informuam se nuk do të ketë ekzekutime. Shpresoj që kjo të jetë e vërtetë. Kjo është një gjë e madhe”, tha Donald Trump, President i SHBA-së.

Ministri i Jashtëm iranian, Abas Araghçi, gjithashtu u përpoq të ulë retorikën, duke i bërë thirrje SHBA-së të gjejë një zgjidhje përmes negociatave.

“Mesazhi im është: mes luftës dhe diplomacisë, diplomacia është rruga më e mirë, edhe pse nuk kemi përvojë pozitive me Shtetet e Bashkuara, megjithatë diplomacia është shumë më e mirë se lufta. Por vendimi i takon presidentit të SHBA-së”, deklaori Abbas Araghchi, ministër i Punëve të Jashtme i Iranit.

Ndryshimi i tonit nga SHBA-ja dhe Irani erdhi disa orë pasi kreu i gjyqësorit iranian tha se qeveria duhet të veprojë shpejt për të ndëshkuar mijëra të ndaluar, përfshirë përshpejtimin e ekzekutimeve. Protestat shpërthyen që nga fundi i muajit të kaluar në disa qytete iraniane për shkak të zhvlerësimit të fortë të monedhës kombëtare, rialit. Autoritetet iraniane kanë deklaruar se janë të gatshme të adresojnë ankesat ekonomike, duke paralajmëruar njëkohësisht kundër dhunës, vandalizmit dhe trazirave.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button