Sot dhjetëra punëtorë të KEK-ut protestuan për kthimin në punë të kryeshefit ekzekutiv të kësaj korporate, Njazi Thaçit, të shkarkuar nga Bordi i përkohshëm i KEK-ut.

Kjo protestë e organizuar nga Këshilli iniciues i punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës u mbajt para mensës së TC “Kosova B” Obiliq, edhe pse pati përplasje ndërmjet protestueseve dhe sigurimit të KEK-ut që protesta të mbahejj në ambientet e kësaj korporate.

Faket Selmani nga ky këshill kërkoi nga bordi dhe kryeministri i ri Avdullah Hoti që të kthejë në punë Njazi Thaçin, pasi siç tha ai ka qenë “kryehero” i kësaj ndërmarrjeje me performancë pozitive.

Në fund, ai u shoqërua në polici së bashku me Muhamet Selamin si organizator të protestës, që me gjasë nuk kanë pasur leje për të protestuar brenda ambienteve të KEK-ut.

Policia në fillim të ngjarjes nuk ishte e pranishme, por pas 20 minutave aty u pa edhe njësia speciale.

Ndryshe, Bordi i ri i drejtorëve të KEK-ut kishte shkarkuar kryeshefin ekzekutiv të kompanisë, Njazi Thaçin dhe zëvendësin e tij Nysret Kelmendi më 24 prill.

Vendimin e kishte marrë Bordi i ri një ditë pas shkarkimit të Bordit nga Qeveria e Kosovës./kp