Protestë nesër në Prishtinë
Në Prishtinë nesër do të organizohet një protestë për të kundërshtuar aprovimin e bllok tarifës të propozuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), ku do të kërkohet dhe nacionalizimin e KEDS-it.
Dibran Hoxha nga shoqëria civile, në konferencë për medie të thirrur rreth protestës “Asnji cent më shumë”, tregoi se sipas propozimit të vendosjes së bllok tarifës qytetarët do t’i pasurojnë bizneset dhe se çmimi për biznese nuk do të rritet fare dhe se kjo edhe do vështirësoje jetën e çdo qytetari.
“Vendosja e bllok tarifës do ta afektojë jetën dhe buxhetin e secilit prej nesh. Gjatë sezonës së dimrit konsumi energjetik i një familje mesatare në Kosovë e kalon në çdo formë 600 KW/h. Kjo do të thotë që nëse një familje e ka paguar një faturë prej 58 eurove me tarifën e re ata do të paguajë rreth 108 euro për energji elektrike. Përveç që i palogjikshëm ky propozim di t’i pasurojë edhe më tej bizneset në kurrizin e qytetarëve të Kosovës”, tha ai.
Hoxha drejtoi kritika ndaj deklaratave të kryeministrit Albin Kurti, që bëri të hënën në Kuvendin e Kosovës. Sipas tij, këto deklarata janë shqetësuese dhe ofenduese për qytetarët.
“Kryeministri dje në Kuvendin e Republikës së Kosovës ka thënë se qytetarët mund edhe të shantazhojnë edhe të fantazojnë për mos shtrenjtim apo mos subvencionim të energjisë, po vet kryeministri a kishte fantazuar kur thoshte se ne synojmë uljen e çmimit të energjisë, madje thoshte se do e nacionalizojmë këtë kompani posa të vijmë në pushtet. Deklarime të tilla të pamatura të kryeministrit janë jashtëzakonisht shqetësuese dhe ofenduese për të gjithë qytetarët e këtij vendi që synim e kanë të jetojnë dinjitetshëm në këto kushte e rrethana në Kosovë”, u shpreh ai.
Në fund, Hoxha ftoi qytetarët që të dalin nesër në protestë për t’i kundërshtuar, siç u shpreh ai padrejtësitë që po iu bëhen atyre./21Media