Protestohet kundër abuzimit seksual në shkolla
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka mbajtur protestë pranë Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për shkak të abuzimit seksual ndaj të miturës në Prishtinë.
Nën thirrjet “Abuzimi seksual nuk ka arsyetim”, “Edukatë seksuale në shkolla”, “Mos i dhunoni vajzat”, dhjetëra qytetarë kërkuan nga MASHT i, futjen e edukatës seksuale në shkolla, ambiente të sigurta për nxënësit, si dhe punësimin e psikologëve dhe punëtorëve socialë në të gjitha shkollat.
Aktivistja e shoqërisë civile, Fjolla Muçaj, tha se sot po protestojnë kundër dhunës dhe pasigurisë së skajshme të vajzave brenda dhe jashtë ambienteve shkollore, për çka shtoi se Ministria e Arsimit është bashkëfajtore.
“Rasti i fundit të ndodhi para disa ditëve para Ministrisë së Arsimit, ka treguar edhe një herë realitetin e frikshëm me të cilin rriten vajzat në Kosovë. E ky realitet, ku rreziku për abuzime seksuale është i vazhdueshëm, vjen pikërisht për shkak të dështimit shoqëror e institucional për ta trajtuar dhunën ndaj vajzave e grave si problem serioz dhe shqetësim për sigurinë publike. Patriarkati i institucionalizuar është duke ua rrezikuar të drejtën për shkollim e rritje të shëndoshe vajzave nëpër shkolla, kjo pasi që institucionet tona kanë dështuar vazhdimisht të nxjerrin politika të mirëfillta të cilat do ta trajtonin këtë si një problem serioz”, tha ajo.
Sipas saj, pjesë e problemi janë edhe vet mediat të cilat kanë raportuar për këtë rast, si dhe janë duke u bërë pengesë serioze në luftimin e dukurive të tilla.
“Ne anën tjetër, ne jemi thellësisht të shqetësuara me raportimin medial të këtyre rasteve dhe konsiderojmë se një pjesë e problemit janë edhe vetë mediave dhe raportimi skandaloz i tyre. Mediat janë duke u bërë pengesë serioze në luftimin e këtyre fenomeneve, duke i trajtuar çështjet e dhunës me bazë gjinore si lajme ‘sensacionale’, e mjete përfitimi duke shkelur mbi të gjitha parimet njerëzore e gazetareske.
Zbulimi i identitetit të viktimave dhe fëmijëve para disa ditëve, tregon që ky është një raportim skandaloz dhe ne nuk do ta lëmë pa e raportuar në institucionet përgjegjës”, tha ajo. Fjolla Muçaj tha po ashtu se të gjitha institucionet, duke u nisur nga familja deri te institucionet publike, janë duke prodhuar ngacmues e abuzues seksual.
Sipas saj, abuzimi seksual i vajzave në shkolla është çështje urgjente me të cilën duhet të merren të gjithë, e në veçanti Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, teksa ka paraqitur tri kërkesat kryesore.
“Jemi mbledhur këtu para MAShT-it për t’i paraqitur tri kërkesat tona themelore, e ato janë: futja e edukatës seksuale në shkolla, ambiente të sigurta për nxënëset dhe nxënësit si dhe punësimi i punëtorëve dhe punëtoreve socialë dhe psikologëve në të gjitha shkollat. Ne nuk do të ndalemi derisa këto kërkesa të realizohen dhe derisa gratë dhe vajzat të ndihen të lira në çdo vend ku ato ndodhen”, tha ajo.
Disa nga kërkesat tjera të protestuesve ishin edhe largimi i drejtorëve dhe profesorëve ngacmues seksualë nga shkollat. Lidhur me rastin, ku sipas një videoje të publikuar, bëhet fjalë për abuzim seksual nga dy djemë të klasës së 7-të ndaj një vajze 6-vjeçare në oborrin e një shkolle në kryeqytet, kanë reaguar edhe Komuna e Prishtinës, drejtoria e shkollës dhe organizata të shoqërisë civile.