Protestuesit hedhin bomba molotov para Bashkisë së Tiranës, merr zjarr një nga dritaret

(Lajm i përditësuar)
Protestuesit hedhin bomba molotov para Bashkisë së Tiranës, merr zjarr një nga dritaret
Protestuesit janë drejtuar para Bashkisë së Tiranës pas mbylljes së protestës para kryeministrisë.
Sapo kanë mërritur para Bashkisë, protestuesit kanë hedhur bomba molotov në drejtim të godinës, ku ndodhet edhe një kordon policie.
Një nga bombat molotov ka rënë brenda dritares së godinës së Bashkisë, duke ndezur zjarr.
Berisha fjalim nga shtëpia, protestuesit hedhin molotov drejt kryeministrisë
Protestuesit e mbledhur para kryeminsitrisë kanë nisur të hedhin molotov drejt godinës, sapo kreu i PD, Sali Berisha ka nisur fjalimin e tij.
Ish-kryeministri është i “pranishëm” në protestë me anë të një ledi, pasi po flet nga banesa e tij ku ndodhet prej 30 dhjetorit, pas vendimit të GJKKO.
Në nisje të fjalës së tij Berisha akuzoi qeverinë e Edi Ramës si shkaktaren e katastrofës ku ndohet vendi.
“Jemi mbledhur në Tiranë nga të katër anët e vendit, diaspora dhe kudo që janë shqiptarët. Përshëndetje të përzemërt vëllazërore për të gjithë ju. Të dashur miq plot dhimbje dhe sakrifica kanë qenë për opozitën dhe Shqipërinë 11 vitet e fundit të rilindejs së Edi Ramës. Asnjë shqiptar nuk ka shpëtuar pa marrë plagë në trup nga dekada e Edi Ramës. Këto plagë do të mbeten përjetë shenja mbi ata që i pësuan. Kjo plagë do të jetë për çdo familjar nëse korrupsioni i rilindjes nuk do të kishte vjedhur ilaçet”, tha Berisha.
Janë hedhur më shumë se 25 shishe molotov në drejtim të kryeministrisë.
Protesta e opozitës, demokratët dhe aleatët e Berishës mblidhen para kryeministrisë
Ka nisur protesta e opozitës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisjes socialiste.
Kjo është protesta e parë që Partia Demokratike dhe Sali Berisha zhvillojnë pasi Gjykata e Apelit u dha vulën dhe logon dhe slogani i tubimit është “Të bashkuar në betejë”.
Bashkë me PD në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” janë edhe aleatët Ilir Meta, Fatmir Mediu , Agron Duka e Vangjel Dule.
Sali Berisha, i cili ndodhet në izolim prej dhjetorit 2023 do të mbajë fjalën e tij virtualisht. Ai do tu flasë protestuesve nga banesa ku ndodhet në “arrest shtëpie”, për shkak të hetimeve që po zhvillohen ndaj tij për korrupsion në çështjen e privatizimi të kompleksit Partizani.
Pritet që sonte në protestë Berisha të skicojë rrugën ku do të ecë opozita dhe strategjinë për betejën elektorale me kryeministrin Edi Rama në pranverën e vitit 2025.
Përgjatë këtij viti opozita ka zhvilluar një protestë kundër qeverisë Rama në 20 shkurt dhe 15 tubime kundër kryetarit të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.