​Berisha: Rezultati i Kamzës është kryekëput i manipuluar

(Lajm i përditësuar)

Në konferencën e tretë pas mbylljes së qendrave të votimit, Sali Berisha hodhi poshtë rezultatin e bashkisë Kamëz, në të cilën është aplikaur votimi elektronik dhe nxori fitues kanddiatin e Partisë Socialiste, Rakip Suli.

Berisha tha se të dhënat të besueshme dëshmojnë se Kamza është manipulim digjital monstruoz.

“Partia Demokratike në vitin 2021 ka qenë 10 mijë vota pas PS-së. Në pollin e pollsterit më të saktë të 13 viteve të fundit, i bërë në fund të shkurtit, PD-ja me Partinë e Lirisë ishin 14% para PS-së, ndërkohë që manipulimi digjital e nxjerr sot PS-në 10 mijë vota para këtij koalicionit. Ky është absolutisht një rezultat i gatuar në mënyrë digjitale dhe hidhet poshtë me vendosmëri më të madhe. Shtoj këtu se Kamza është shtuar nga qeveria pa aprovimin e askujt dhe në kundërshtim me kërkesat për tu votuar në mënyrë digjitale. Edhe njëherë them se rezultati i Kamzës pasi u krahasuan rekordet elektorale dhe pollet, janë kryekëput të manipuluara”, tha Berisha.

Kamza ishte një nga tri bashkitë në të cilën është aplikuar votimi elektronik, dy të tjerat ishin Elbasani dhe Vora.

Në garë për kryetar të Kamzës përpos Sulit të Partisë Socialiste, ishte kandidati i koalicionit “Bashkë fitojmë”, Arjan Hoxha si dhe ai i Partisë Demokratike, Bilbil Bajraktari.

PS-ja fiton Vorën dhe Kamzën

Kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Vorës, Blerim Shera, ka fituar në zgjedhjet lokale, bën të ditur A2NEWS.

Sipas rezultateve të para të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Shera i ka marrë 8.533 vota, ndërsa kundërkandidati nga opozita “Bashkë Fitojmë”, Indrit Hoxha 2.978 vota.

Edhe Bashkinë e Kamzës e ka fituar Partia Socialiste, apo kandidati i saj Rakip Suli. Ai i fiti 60.65 për qind të votave, ndërsa kandidati i opozitës 35.11 për qind.

​Rezultatet e para për tri bashki në Shqipëri, fituan socialistët

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dhënë rezultatet për tri bashki, atë të Elbasanit, Vorës dhe

Sipas rezultateve të KQZ-së, në Elbasan, kandidati i Partisë Socialiste ka marrë 24823 ose 55,03 %, kurse, kandidati i koalicionit bashkë Fitojmë, ka marrë 20286 vota ose 44,97 %.

Në bashkinë Vora, e cila më parë drejtohej nga demokratët, tash ka fituar kandidati i Partisë Socialiste, i cili ka marrë 9319 ose 73.55 % dhe kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë 3352 vota ose 26.45 %.

Në bashkinë Kamëz, kandidati i Partisë Socialiste ka marrë 23657 vota ose 60.65 %. Ai i koalicionit Bashkë Fitojmë 13694 vota ose 35.11 % dhe kandidati i Partisë Demokratike 1653 vota ose 4.24 %.

​KQZ në Shqipëri: Në zgjedhjet për bashkitë votuan 34.37 %, pranuan 35 denoncime

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi ka deklaruar se sipas të dhënave të sistemit të transmetimit dhe përpunimit të të dhënave të pajisjeve elektronike të identifikimit, pjesëmarrja në këto zgjedhje për 61 drejtues të bashkive, ishte 34.37 përqind ose 3 milionë e 22150 zgjedhës, derisa, shtoi se zyrtarisht kanë pranuar 35 denoncime.

Celibashi tha se ndoshta interesi më i madh është për çështjen e zgjedhjeve në bashkinë e Elbasanit, Borës dhe Kamzës dhe në çështje minutash do ta kenë këtë të dhënë.

Ai tha se procesi i votimit ka përfunduar të gjithë territorin e Shqipërisë dhe komisionerët janë duke protokolluar këtë proces. Sipas tij, vetëm në 62 qendra votimi janë konstatuar shkelje sa i përket propagandës zgjedhore.

“Sipas të dhënave të sistemit të transmetimit dhe përpunimit të të dhënave të pajisjeve elektronike të identifikimit, pjesëmarrja është 34.37 përqind por për ato qendra të votimit për të cilat është raportuar në mënyrë elektronike, direkt nga qendrat e votimit dhe kjo do të thotë 3 milionë e 22150 zgjedhës, kaq është numri i zgjedhësve për qendrat e votimit të cilat kanë raportuar nëpërmjet sistemit elektronik të identifikimit, nga 3 milionë 665550 që është numri total i votuesve që është në listën e zgjedhësve. Numri i votuesve për herë të parë është 16.597, që votojnë për herë të parë, 18 vjeç. Kemi 1094 tentativa për votim të dyfishtë që nuk do të thotë se janë domosdoshmërish që janë 5042. Mund të jetë një zgjedhës që kanë votuar disa herë”, tha ai.

Ai tha se procesi i votimit elektronik ka shkuar shumë mirë.

“ Për 30 qendra votimi është raportuar votim në grup apo votim familjar, në katër raste kemi marrë raportime për votim jashtë dhomës së fshehtësisë, vetëm 10 përqind është përdorur lista në mënyrë manuale, në dy qendra votimi të bashkive ku është votuar nëpërmjet procesit elektronik, një në Elbasan dhe një qendër votimi në Paskuqan, është përdorur vetëm një nga dy makinat, dhe në të gjitha qendrat e tjera të votimit, procesi i votimit elektronik ka shkuar shumë mirë, kemi administruar në total 35 denoncimeve, kaq është numri total i denoncimeve”, tha ai.

​KQZ e Shqipërisë: Procesi zgjedhor në tërësi mund të konsiderohet normal

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi ka deklaruar se në KQZ kanë ardhur 29 denoncime zyrtarisht. Tri nga Partia Socialiste, një nga koalicioni “Bashkë Fitojmë dhe 24 denoncime nga qytetarë të ndryshëm.

“Në total në KQZ kanë ardhur 29 denoncime zyrtarisht të pranuara, 4 denoncime nga partitë zgjedhore, tre nga Partia Socialiste dhe një nga koalicioni “Bashkë Fitojmë. Partia Socialiste ka një denoncime për kandidatin për kryetar të bashkisë në Elbasan. Po kështu, edhe për kandidatin e koalicionit bashkë fitojmë në Tiranë në dy raste për thyerje të heshtjes zgjedhore nga dy kandidatët, nga kandidati në Elbasan dhe kandidati në Tiranë. Ka një denoncim në KQZ nga Komiteti Shqiptar i Helsingut mbi parregullsitë procedurale gjatë shpërndarjes së bazës materiale, i përket konstatimeve të orëve të para të fillimit të procesit të votimit. Gjithashtu janë edhe 24 denoncime nga qytetarë të ndryshëm. Përgjithësisht bashkitë të cilat janë prezantuar si me probleme janë Tirana, Elbasani, Durrësi, Dropulli, Kamza, Lexha, Peshkopia dhe Tropoja. Në referim të përmbajtjes së këtyre denoncimeve, kryesisht lidhem me parregullsi nga ana e komisionerëve, ka mjaft ankesa, korrupsion aktiv ose pasiv në procesin e votimit”, tha ai.

Sipas tij, në 4.497 qendra votimi gjithsejtë kanë votuar 998,633 votues, ose 31.42 përqind, prej tyre për herë të parë deri tash kanë votuar 14.654 votues.

“Për sa i përket ecurisë së procesit, duke parë numrin e denoncimeve, ky numër të bën të mendosh se procesi ka shkuar, mirë, normalisht, por duke ndjekur edhe raportimet e mediave dhe komunikimet qw kemi me partitw politike, këto të dhëna të lënë të kuptosh se ka probleme, por gjithsesi në vlerësimin tim, procesi në tërësi mund të konsiderohet normal dhe anomarlitetet e evidentuara nuk mendoj që e bëjnë të gjithë procesin problematik, gjithsesi duhet të presim gjithë procesin dhe të vlerësojmë çka ka ndodhur”, tha ai.

KQZ: ​34.54 për qind e qytetarëve në Shqipëri kanë votuar deri në orën 17:00

Në Shqipëri, pjesëmarrja në votime deri në orën 17:00 ka shkuar në masën 34,54%. Këto janë të dhënat më të fundit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Sipas KQZ-së deri në këto momente raportojnë në kohë reale 2668 Qendra Votimi nga 5213 që janë total.

Pjesëmarrja më e madhe në votim ka qenë në bashkitë, Fushë Arrëz, Pustec, Kukës, Devoll, Has, teksa Vlora hyn te bashkitë ku pjesëmarrja ka qenë më e ulët.

Votimi në Shqipëri, deri në orën 16:00 votuan vetëm 32.19 % e qytetarëve

Deri rreth orës 16:00 pjesëmarrja në votime duket e ulët, teksa kanë votuar 32,19 % e qytetarëve.

Të dhënat përditësuara nga KQZ vijnë nga 2694 qendra votimi nga 5211 në total.

Sipas të dhënave të publikuara nga KQZ, deri më tani numri i qytetarëve që kanë ushtruar të drejtën e votës është 619193 nga 1923650 zgjedhës në listat e qendrave të votimit.

Pjesëmarrja në votime në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit 2021 në të njëjtën orë 41.25 për qind.

Këtë 14 maj, qytetarët u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur drejtuesit e bashkive si dhe anëtarët e këshillave bashkiakë për 4 vitet në vijim.

Merr dy fletëvotime dhe largohet nga qendra e votimit, intervenon policia në Krujë

Komisioni i Qendrës së Votimit në Krujë, ka kërkuar ndihmë nga Policia e Shtetit, pasi shtetasi B. T. kishte marrë dy fletë votimi nga Qendra e Votimit dhe ishte larguar.
Sipas Policisë, rasti është raportuar rreth orës 13:50. Shërbimet e Policisë kanë organizuar menjëherë punën dhe si rezultat kanë kapur dhe shoqëruar në Komisariat, shtetasin B. T., i cili pasi ka marrë me vete 2 fletët e votimit (të veten dhe të nënës), ka dalë nga Qendra e Votimit, i ka dëmtuar fletët e votimit dhe i ka hedhur ato në koshin e mbeturinave.
“Në përfundim të veprimeve të kryera në drejtimin e Prokurorisë, shtetasi B. T., 44 vjeç, banues në Tapizë, është arrestuar në flagrancë, për veprën penale “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”. Policia ka sekuestruar 2 fletët e votimit që ky shtetas mori nga Qendra e Votimit. Në drejtimin e Prokurorisë po vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti”, thuhet në njoftim.

Teknologjia i tradhton, KQZ urdhëron regjistrim manual të votuesve

Kreu i KQZ-së në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, derisa ka informuar në lidhje me ecurinë e procesit zgjedhor në Tiranë, ka bërë të ditur se kanë zhbllokuar problematikën me pajisjet e identifikimit duke urdhëruar regjistrimin manual në të gjitha qendrat e votimit që kanë probleme gjatë identifikimit të votuesve.

Celibashi tha se kjo në mënyrë që mos të pengohet procesi i votimit.

“Në vlerësim të situatës dhe problematikave kemi vlerësuar bashkë me komisionarët për të mos penguar procesin e votimit, urdhëruam që ky proces të bëhet me mënyrën tradicionale pasi në aspektin teknik nuk kishim asnjë mundësi më shumë që të prisnim. Në lidhje me natyrën e problemeve është shumë herët për të thënë se cilat mund të jenë arsyet”, tha Celibashi.

Ai ka treguar edhe për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në qendrat e votimit.

“Në momentin që ne flasim janë 4464 qendra votimi të cilat funksionojnë normalisht në kuptim të pajisjes elektronike të identifikimit. Pra, në 4 mijë e 464 qendra votimi procesi identifikimit të votuesve po bëhet nëpërmjet pajisjes elektronike të identifikimit. Janë 206 qendra votimi të cilat sipas informacionit që marrim nëpërmjet sistemit, na tregojnë se pajisja është e konfiguruar por nuk mund të marrim automatikisht informacion prej tyre. Ndërkohë janë 533 qendra votimi për të cilat ne nuk kemi informacione që do të thotë që pajisja nuk funksionon, funksionon pjesërisht ose plotësisht por nuk kemi këtë të dhënë nëpërmjet sistemit. Janë 532 tani se informacioni përditësohet në kohë reale, për të cilat supozohet në rastin më të keq që identifikimi të mos bëhet përmes pajisjes elektronike të identifikimit”, tha ai.

Bejko: Sot është dita që qytetarët ta refuzojnë kapjen e tregut të Tiranës nga krimi

Kandidati i Partisë Demokratike për kryetar të Bashkisë së Tiranës, Roland Bejko ka votuar sot pranë qendrës së votimit në shkollën “Gustav Majer”.

Ai ka ftuar qytetarët për të dalur për të votuar, derisa është shprehur se sot është dita që qytetarët të refuzojnë kapjen e tregut të Tiranës nga krimi i organizuar e oligarkia.

“Ftoj qytetarët e Tiranës të dalin masivisht në votime, sepse sot është një ditë ku ata duhet të shprehen për Tiranën. Është rasti sot që nëse qytetarët janë të mërzitur nga klasa e vjetër politike, nga fakti që Tirana ka rënë në duar të një pakice, të cilët menaxhojnë gjithë fondet publike të Tiranës, menaxhojnë pronat, qytetarët e Tiranës të shprehen kundër tyre. Nëse qytetarët e Tiranës e shikojnë se krimi i organizuar ka kriminalizuar ekonominë e Tiranës, derisa janë bindur për ato që kemi thënë gjatë fushatës elektorale, sot është dita që ta refuzojnë pikërisht kapjen e tregut të Tiranës nga krimi i organizuar nga oligarkia politike dhe nga oligarkia financiare. Në bashkëpunim me qytetarët ne do të mbrojmë pronën e qytetarëve, ne do të zhvillojmë turizmin, do të zhvillojmë ekonominë e Tiranës. Këto janë premtimet e mia duke siguruar që shërbimi ndaj qytetarëve do të kryhet në mënyrën më të mirë, sepse ne do ta çlirojmë biznesin e Tiranës edhe nga taksat e renda duke i përgjysmuar ato”, ka thënë Bejko.

Mes tjerash, ai është shprehur se oligarkët në Tiranë njihen me emër, prandaj sipas tij, qytetarët e Tiranës duhet të japin frymarrje Tiranës me votën e tyre dhe duhet të mbështesin alternativen me të mirë.

Bejko nuk ka lënë pa përmendur edhe kundërshtarët tjerë politikë, me ç’rast ka thënë se është dita që qytetarët të ndahen nga e shkuara.

Duke folur për pritshmëritë e këtyre zgjedhjeve, ai ka theksuar se është vetmi demokrat

“I vetmi demokrat dhe i vetmi i djathtë në garë është Roland Bejko dhe Partia Demokratike, të tjerët kanë bërë divorcin me Partinë Demokratike dhe kanë shkuar në parti tjera ku janë strehuar dhe kanë ndjekur nga mbrapa të shkuarën. Sot, është dita që nëse qytetarët duan të ndahen nga e shkuara, ta bëjnë atë me votë. Nëse duan të vazhdojnë të jenë të sunduar nga e shkuara, të votojnë për ata. Të votosh Erionin apo Belindin është njësoj si të votosh për Edi Ramën, Salih Berishën dhe Ilir Metën. Voto 2 dhe merr 3, kjo është ideja. Duam të çlirojmë prej tyre, sot e kanë ditën dhe le të jetë ky fillimi i çmontimit të tranzicionit shqiptar prej 30 vitesh”, ka thënë mes tjerash Bejko.

Kandidati i Partisë Demokratike për kryetar të Bashkisë së Tiranës, Roland Bejko ka thënë se e ardhmja e tij politike nuk varet nga këto zgjedhje dhe se nuk do të konkurrojë për kryetar partie sido që të jetë rezultati.

Meta: Kush nuk voton nuk ka të drejtë as të ankohet, as të kërkojë llogari

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta bashkë me bashkëshorten Monika Kryemadhi dhe fëmijët votuan sot në kopshtin e numër 31, në rrugën “Pjetër Bogdani” në zonën e ish-bllokut.

Pas votimit, Meta luti qyetarët të të marrin pjesë në zgjedhje, sepse siç tha ai, nuk ka ndryshim pa pjesëmarrje.

Ai tha se një qytetar që nuk e ushtron të drejtën për të votuar, nuk ka të drejtë as të ankohet, as të kërkojë llogari.

“Me këtë rast, unë kam vetëm një lutje për qytetarët e Tiranës, për të gjithë qytetarët e Shqipërisë, pjesëmarrje, pjesëmarrje dhe përsëri pjesëmarrje, sepse vetë demokracia është pjesëmarrje dhe nuk ka ndryshim pa pjesëmarrje. Njëkohësisht, gjëja më e rëndësishme, e drejta më e fuqishme që ka një qytetar në demokraci është vota, ajo është themeli i lirisë, i dinjitetit edhe i fuqisë së tij. Një qytetar që nuk e ushtron këtë të drejtë, nuk ka të drejtë as të ankohet dhe as të kërkojë llogari. Prandaj, ushtrojeni këtë të drejtë sot dhe vetëm përmes pjesëmarrjes, vetëm përmes kësaj mundësie të shkëlqyer që ju garanton Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ju mund të bëheni pjesë e ndryshimit dhe t’u kërkoni llogari të gjithëve.”, tha Meta.

Voton kryekuvendarja Nikolla: Ta kthejmë këtë ditë në festë të demokracisë

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ka ushtruar të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet vendore që po mbahen në Shqipëri.

Ajo ka ftuar qytetarët të ushtrojnë lirisht e qetësisht të drejtën e tyre për të votuar.

“Sot është dita në fakt kur politikanët heshtin dhe flet populli për të ushtruar të drejtën e tij kushtetuese për të zgjedhur dhe unë uroj që masivisht qytetarët shqiptarë ta ushtrojnë këtë të drejtë duke zgjedhur kryetarët e bashkive dhe përfaqësuesit e këshillit bashkiak… Për të ushtruar të drejtën e tyre të votës qytetarët dhe për ta kthyer këtë ditë në një ditë feste demokracie”, deklaroi Nikolla.

Veliaj: Shumë e rëndësishme që secili të dëgjohet dhe vendimmarrja pastaj të na udhëheq

Kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj shkoi për të votuar, i shoqëruar nga bashkëshortja dhe fëmijët e tij. Pas votimit, Veliaj tha se është shumë e rëndësishme dalja për të votuar.

Ai u shpreh se është shumë e rëndësishme që secili të dëgjohet dhe “vendimmarrja pastaj të na udhëheq”.

“Jam në dijeni të faktit që kemi pasur disa avari, nuk do të thoja dramatike por, KQZ-ja ka qenë e pamundur të gjenerojë dhe të emëtoj identifikimin elektronik me sisitemin që ka pasur. Me vjen mirë që më në fund ka një vendimmarrje, vendimmarrja është që të kalohet në sistemin manual. Gjithmonë duhet të prevalojë e drejta e qytetarëve për të votuar dhe për tu shprehur sesa e drejta e teknologjisë kokëfortë apo në një ditë me re për të transmetuar të dhëna. Kështu që, prevalvojë kjo e drejtë. Ftesa për të gjithë qytetarët që mund të jenë dekurajuar sidomos për ata që janë më të mëdhenj në moshë e që kanë dalë qysh në orën 7 të mëngjesit edhe nuk kanë pasur mundësi të votojnë është të kthehen në qendrat e votimit. Është shumë e rëndësishme që të gjithë të dalim të votojmë për të ardhmen, të votojmë për fëmijët tanë…Janë fatet e qytetit për katër vitet e ardhshme, janë aftet e fëmijëve tanë, janë projektet e qytetit në lojë dhe në pikëpyetje dhe kështu që, shumë, shumë e rëndësishme që secili të dëgjohet dhe vendimmarrja pastaj të na udhëheq.”, tha ai.

Në Shqipëri mbahen sot (e diel) zgjedhjet lokalet ku rreth 140 kandidatë do të synojnë të marrin drejtimin e 61 bashkive në tërë Shqipërinë.

Në këto zgjedhje garojnë rreth 140 subjekte politike. Gara do të jetë kryesisht mes Partisë Socialiste te Shqipërisë së Edi Ramës dhe Koalicionit “Bashkë fitojmë” të Sali Berishës dhe Ilir Metës të cilët kanë kandidatët e tyre në çdo bashki.

Ndërsa, Partia Demokratike e Shqipërisë, e përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj, gjithashtu do të jetë në garë në disa bashki.

Në 44 bashki do të garojnë nga dy kandidatë, në 14 bashki do të jenë nga 3 kandidatë, ndërsa në Sarandë do të jenë 4 kandidatë.

Beteja kryesore do të jetë për kryeqytetin, Tiranën, ku ka gjashtë kandidatë. PS ka vendosur t’i besojë Erion Veliajt, ndërsa koalicioni Meta-Berisha i ka vënë përballë Belind Këlliçin. Ndërkaq, PD e Alibeajt ka kandiduar Roland Bejkon.

Alibeaj: Momenti për të bërë një ndarje të madhe me të shkuarën

Kryetari i deleguar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Enkelejd Alibeaj, deklaroi se shqiptarët e kanë në dorë që të bëjnë një ndarje të madhe me të shkuarën duke votuar kandidatët e tij.

Gjatë fjalës së tij, pasi votoi mëngjesin e së dielës, Alibeaj duke nënkuptuar Ramën, Berishën dhe Metën, tha se ndarjet e mëdha bëhen vetëm me pjesëmarrje masive të qytetarëve në zgjedhje.

“Sot është dita në fakt, sot është dita që shqiptarët, ata të cilët ndoshta edhe në monetet e mëparshme, kohë më parë nuk është se kanë ardhur, kanë refuzuar votimin, sot do të duhet të vijnë, sepse kjo është mënyra, ky është momenti për të bërë një ndarje të madhe me të shkuarën, dhe kjo është në dorë të shqiptarëve. Ndarjet e mëdha me të shkuarën bëhen vetëm dhe do të jenë vetëm me pjesëmarrje masive të shqiptarëve”, tha Alibeaj.

Alibeaj deklaroi se sot shqiptarët duhet të vendosin se di duhet të jetë nesër Shqipëria.

“Sot askush nuk mund të rri dhe të sodis. Ka shumë motive, një mijë e një motive që njerëzit të ngrihen, si ai zotëria aty që ka ardhur aty me bastun, në atë moshë, që kanë gjithë ato motive të forta për të dalë. Dhe mbi të gjitha, motivi numër një është për të ndryshuar realisht atë se çfarë Shqipëria do të duhet të jetë nesër. Dhe se si do të duhet të jetë nesër, do të duhet ta vendosim sot. Si? Duke u ndarë nga e shkuara”, deklaroi Alibeaj.

Partia Demokratike e Shqipërisë së Alibeajt ka 14 kandidatë për kryetarë në të gjithë vendin. Ndërsa pjesa tjetër e demokratëve, të bashkuar rreth Sali Berishës, garojnë me siglën e koalicionet “Bashkë fitojmë”.

Voton Rama: Uroj që situata e krijuar nga KQZ-ja të mos ketë ndikuar në dekurajimin e votuesve

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka votuar në zgjedhjet që po mbahen në Shqipëri për kryetarët e bashkive.

Pas votimit, ai ka bërë një prononcim para gazetarëve, ku ka uruar që situata e krijuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të mos ketë ndikuar në dekurajimin e votuesve.

“Tani është momenti i gjithë qytetarëve që të thonë fjalën e tyre. Uroj që situata e krijuar nga KQZ-ja të mos ketë ndikuar në dekurajimin atyre që kanë shkuar të votojnë qysh në fillim në ato zona ku nuk punuan aparaturat. Uroj të gjithë ata që mund të jenë dekurajuar të rikthehen në mënyrë që vullneti të shprehet i plotë për të gjithë kandidatët”, tha ai.

Berisha: Kjo është pranvera e ndryshimit

Ish-kryeministri Sali Berisha ka shfrytëzuar të drejtën e tij të votimit në shkollën “Kosova” në Tiranë. Pasi hasi probleme me identifikimin elektronik, Berisha tha se kjo është pranvera e ndryshimit për Shqipërinë.

Berisha ftoi të gjithë qytetarët që të dalin sa më shumë në votime, duke thënë se të mos dëgjojnë asnjë që iu thotë të kundërtën.

“Së pari, një thirrje nga zemra për të gjithë qytetarët shqiptarë, të flasin sot me votën e tyre për qeverisjen vendore. Të gjithë ata të cilët u ftuan nga armiku i egër i votës së lirë të shqiptarëve, që të rrinë në shtëpi, të mos harrojnë se ky është një nxitje, një apel i madh që ata të marrin pjesë sot në votime. Ai që ka frikë votën, ai ka frikë lirinë dhe është armik i saj”, deklaroi Berisha.

Berisha deklaroi prej nesër Shqipëria arkivon monizimin e shëmtuar dhe se kjo shënon fitore për demokracinë shqiptare.

“Së dyti, ftoj të gjithë zgjedhësit shqiptarë, të mos harrojnë se përsëritja e të njëjtit gabim, e bën gabimin edhe më të madh. Ndaj dhe le t’u prijë mençuria e tyre, në mënyrë që të votojnë në interesin më të mirë të tyre, familjes së tyre, vendit të tyre. Kjo është pranvera e ndryshimit! Nesër Shqipëria arkivon përfundimisht monizmin e shëmtuar dhe kjo është një ditë fitoreje për demokracinë shqiptare”, tha Berisha.

Kujtojmë se në këto zgjedhje opozita shqiptare pritet të kthehet në institucionet e pushtetit vendor pas katër vjet mungese për shkak të bojkotit në zgjedhjet e vitit 2019. Gjatë kësaj periudhe socialistët drejtuan gjithë bashkitë e vendit, përveç Shkodrës.

Këlliçi: Qytetarët kanë në dorë fatet e Tiranës

Kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë fitojmë” për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, ka votuar në shkollën “Dora d’Istria” në orën 08:30.

I shoqëruar nga familja e tij, ai ftoi të gjithë qytetarët që të dalin dhe të votojnë masivisht.

“Ftoj të gjithë qytetarët e Tiranës që të shkojnë sot në qendrat e tyre të votimit për të kryer detyrën e tyre si qytetar për të votuar. Ftoj të gjithë të rinjtë, të gjithë ata mijëra e mijëra qytetarë që në këto 5 muaj kam takuar duke shtrënguar duart, duke i parë në sy dhe duke folur për ndryshimin. Sot është dita e madhe, sot është 14 maji që kemi pritur aq shumë të gjithë, është dita kur kemi në dorë fatet e këtij qyteti dhe ndryshimin e keni vetë në duar”, tha Këlliçi.

Këlliçi, duke iu drejtuar të rinjve, tha se largimi nuk është zgjidhje prandaj duhet të dalin dhe të votojnë për të rikthyer shpresën.

Deri në momentin kur votoi, Këllici tha se nuk kanë hasur në parregullsi përpos disa problemeve teknike.

“Deri tani përpos disa gjërave të vogla teknike, procesi është duke shkuar normalisht. I bëj thirrje të gjithë qytetarëve dilni votoni masivisht. Sot është një ditë feste. Sot është dita e dita e ndryshimit, dilni dhe votoni”, tha ai.

Beteja kryesore e këtyre zgjedhjeve padyshim do të jetë për kryeqytetin, Tiranën, ku garojnë gjashtë kandidatë. PS ka vendosur t’i besojë Erion Veliajt, ndërsa koalicioni Meta-Berisha i ka vënë përballë Belind Këlliçin. Ndërsa PD e Alibeajt ka kandiduar Roland Bejkon.

Voton presidenti Begaj: Zgjedhjet janë për qytetarët

Mëngjesin e sotëm në shkollën “Kongresi i Lushnjes” në Tiranë për herë të parë si president i Republikës votoi Bajram Begaj. I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, zonja e parë e shtetit, Begaj hodhi votën e tij për kryetar bashki dhe anëtar të këshillit bashkiak.

Pas votimit, Begaj deklaroi se kjo është një ditë e rëndësishme për demokracinë ndërsa ftoi qytetarët që të shfrytëzojnë të drejtën e votës.

“Sot është një ditë e rëndësishme në demokraci, është dita e zgjedhjeve dhe unë sot ushtrova detyrën time, detyrën si qytetar, natyrisht që çdo shtetas i Republikës së Shqipërisë me të drejtë vote sot ka ditën që të dëgjohet, që vota e tij të lexohet, fuqia dhe pushteti i votës së tij të bëjë ndryshim…. Këto votime nuk janë të partive politike, këto janë të qytetarëve dhe duhet t’i shërbejnë qytetarëve”, tha Begaj.

Zgjedhjet lokale në Shqipëri, KQZ jep të dhënat për orën e parë të votimeve

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka publikuar të dhënat për pjesëmarrjen në zgjedhjet vendore deri në orën 08:00.

Pas raportimit të 2468 qendrave votimi nga 5211 gjithsej, pjesëmarrja është mbi 23 mijë, ose 1,29%.

Ndërkohë, në Tiranë, pjesëmarrja deri në orën 08:00 është 1,54%.

Sulmohet kryebashkiaku i Kolonjës, simpatizanti i “Bashkë Fitojmë” shoqërohet në polici

Zgjedhjet lokale në Shqipëri kanë nisur me dhunë.

Mediat raportojnë se në mesnatë është goditur kandidati i PS-së, Erion Isai, gjatë orëve të mbrëmjes nga një simpatizant i PD-së pranë fshatit Qinam.

Mbi ngjarjen e ndodhur në mesnatë në Kolonjë, ku u sulmua kryetari i bashkisë Kolonjë Erion Isai, nga informacionet e para bëhet me dije se kryebashkiaku ka qenë në Qafëzezë duke u kthyer në banesën e vet, kur kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” Ethem Lumani së bashku me disa simpatizantë të opozitës kanë bllokuar rrugën dhe e kanë kërcënuar Isain.

Njeri nga simpatizantët e PD-së, Esmerald Kacolli, që kishte bllokuar rrugën i është afruar Isait duke e goditur me grusht në fytyrë. Pas kësaj ngjarje mësohet se kryetari i bashkisë Kolonjë ka shkuar në komisariat për të bërë denoncimin përkatës ndërsa është shoqëruar personi që e ka goditur.

Sipas koalicionit Bashkë Fitojmë, kishin informacion se në fshatin Qafëzes Erion Isai me stafin po kryenin fushatë. Dhe sipas tyre, kishin të dhëna se po shpërndanin edhe lekë.

KQZ vëzhgon procesin zgjedhor në Shqipëri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) po qëndron në Shqipëri për të vëzhguar procesin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, të cilat do të mbahen sot (e diele). Ata do të jenë prezentë në disa Qendra të Votimit për të ndjekur nga afër organizimin e zgjedhjeve.

Gjatë këtij vëzhgimi, vëmendje më e madhe do t’i kushtohet votimit të pjesshëm elektronik në 401 vendvotime të bashkive Elbasan, Kamëz dhe Vorë, si dhe numërimin e votave që zhvillohet në Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se ky vëzhgim është në kuadër të bashkëpunimit të mirë që kanë institucionet zgjedhore në të dy vendet.

Para ditës së zgjedhjeve, delegacioni i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i kryesuar nga Kreshnik Radoniqi dhe në përbërje të anëtarit, Sami Kurteshi dhe Kryeshefit Ekzekutiv të Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, janë takuar me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.

Kryetari Radoniqi, vlerësoi lartë bashkëpunimin e mirë ndërmjet dy institucioneve dhe në emër të KQZ-së së Kosovës uroi që dita e zgjedhjeve të shkojë mbarë e të përmbyllet me sukses.

Po ashtu, delegacioni i KQZ-së së bashku me anëtarë të Trupave të Menaxhimit të Zgjedhjeve nga shtete të ndryshme, morën pjesë në prezantimin e Komisonerit Shtetëror të Zgjedhjeve për përgatitjet e procesit zgjedhor. Vëzhguesit e TMZ-ve u njoftuan edhe për specifikat e këtij procesi zgjedhor dhe për aplikimin e teknologjisë informative në votimin elektronik në tri bashki të ndryshme.

Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të jenë prezentë në disa Qendra të Votimit për të përcjellur nga afër organizimin e zgjedhjeve.

Mbi 5500 policë ruajnë objektet zgjedhore

5511 policë do të angazhohen për ruajtjen e objekteve zgjedhore në Shqipëri gjatë ditës së sotme (e diele). Ndërsa janë trajnuar gjithsej 7530 policë të cilët do të angazhohen me detyra gjatë procesit zgjedhor.

Policia e Shtetit do të marrë në mbrojtje 57 objekte të rëndësishme në këtë proces me angazhimin e 192 punonjës të policisë nga forcat “Komando”.

Të njëjtit do të ndërhyjnë në rast se kërkohet nga komisionet zgjedhore apo nga KQZ-ja.

Shqipëria zgjedh sot kryetarët e bashkive

Në Shqipëri mbahen sotzgjedhje zgjedhjet lokalet ku rreth 140 kandidatë do të synojnë të marrin drejtimin e 61 bashkive në tërë Shqipërinë.

Nga ora 7:00 e mëngjesit hapen qendrat e votimit, dhe qytetarët janë ftuar të bëjnë zgjedhjen e tyre për 61 kryetarët e rinj të bashkive si edhe për përfaqësuesit e këshillave bashkiakë.

Në këto zgjedhje vendore, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, 3.650.550 shtetas shqiptarë kanë të drejtën e votës, ndërsa 122.545 zgjedhës votojnë për herë të parë. Në 61 bashki të vendit do të jenë të hapura 5.211 qendra votimi nga ora 07:00-20:00.

Në Kamëz, Vorë dhe Elbasan do të votohet në mënyrë elektronike dhe rezultati në këto bashki pritet të dalë pak minuta pas përmbylljes së procesit zgjedhor, ndërsa thuajse në të gjitha qendrat e votimit do të bëhet identifikimi elektronik i votuesve.

Në këto zgjedhje garojnë rreth 140 subjekte politike. Gara do të jetë kryesisht mes Partisë Socialiste te Shqipërisë së Edi Ramës dhe Koalicionit “Bashkë fitojmë” të Sali Berishës dhe Ilir Metës të cilët kanë kandidatët e tyre në çdo bashki.

Ndërsa, Partia Demokratike e Shqipërisë, e përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj, gjithashtu do të jetë në garë në disa bashki.

Në 44 bashki do të garojnë nga dy kandidatë, në 14 bashki do të jenë nga 3 kandidatë, ndërsa në Sarandë do të jenë 4 kandidatë.

Beteja kryesore do të jetë për kryeqytetin, Tiranën, ku ka gjashtë kandidatë. PS ka vendosur t’i besojë Erion Veliajt, ndërsa koalicioni Meta-Berisha i ka vënë përballë Belind Këlliçin. Ndërsa PD e Alibeajt ka kandiduar Roland Bejkon.

Këta janë kandidatët për kryetarë në 61 bashkitë e Shqipërisë:

Bashkia Tiranë

1. Arlind Qori – Partia “Lëvizja Bashkë”;

2. Marko Dajti – Partia “Fronit i Majtë”;

3. Lajla Pernaska – Partia “Drejtësi, Integrim dhe Unitet”;

4. Erion Veliaj – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

5. Belind Këlliçi – “Bashkë Fitojmë”

6. Roland Bejko – “Partia Demokratike”

Bashkia Belsh

1. Arif Tafani – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

2. Bedri Qypi – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”

Bashkia Berat

1. Zija Ismaili – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”

2. Ervin Demo – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

Bashkia Bulqizë

1. Defrim Fiku – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”

2. Festime Mjeshtri – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

Bashkia Cërrik

1. Servet Duzha – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”

2. Andis Salla – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

Bashkia Delvinë

1. Ilir Mehmeti – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”

2. Besmir Veli – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

Bashkia Devoll

1. Eduard Duro – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

2. Elvis Hajdërlli – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”

3. Çlirim Hoxha – kandidat i pavarur

Bashkia Dibër

1. Ismail Uka – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”

2. Naim Gazidede – “Partia Demokratike”

3. Rahim Spahiu – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

Bashkia Dimal

1. Gentian Meçi – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”

2. Dritan Sula – “Partia Demokratike”

3. Juliana Memaj – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

Bashkia Divjakë

1. Josif Gorrea – Partia Socialiste e Shqipërisë”;

2. Aurel Malko – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

Bashkia Dropull

1. Thanas Maneka – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

2. Dhimitraq Toli – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

Bashkia Durrës

1. Igli Cara – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

2. Emiriana Sako – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

Bashkia Elbasan

1. Gledian Llatja – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

2. Luçiano Boçi – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

Bashkia Fier

1. Evdar Kodheli – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

2. Eriselda Çelaj – “Partia Demokratike”;

3. Armando Subashi – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

Bashkia Finiq

1. Leonidha Papa – “Partia Demokratike”;

2. Leonidha Hristo – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”

3. Romeo Çakuli – Partia “Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen”;

Bashkia Fushë Arrëz

1. Fran Tuci – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

2. Hil Curri – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

Bashkia Gjirokastër

1. Dorjan Lani – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”

2. Flamur Golemi – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

Bashkia Gramsh

1. Hasim Çekrezi – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”

2. Besion Ajazi – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

Bashkia Has

1. Miftar Dauti – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”

2. Beqir Mulaj – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

Bashkia Himarë

1. Jorgo Goro – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

2. Dhionisios Alfred Beleri – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

Bashkia Kamëz

1. Rakip Suli – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

2. Bilbil Bajraktari – “Partia Demokratike”;

3. Arjan Hoxha – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”

Bashkia Kavajë

1. Fisnik Qosja – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”

2. Redjan Krali – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

Bashkia Këlcyrë

1. Klement Ndoni – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

2. Adriatik Spahiu – “Partia Demokratike”;

3. Arjan Kasaj – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

Bashkia Klos

1. Valbona Kola – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

2. Bedri Hoxha – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

Bashkia Kolonjë

1. Erion Isai – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

2. Et’hem Lumani – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

Bashkia Konispol

1. Ergest Dule – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

2. Fatmir Shero – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

Bashkia Korçë

1. Ledina Alolli – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”

2. Sotiraq Filo – “Partia Socialiste e Shqipërisë”

Bashkia Krujë

1. Agron Loka – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”

2. Artur Bushi – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

Bashkia Kuçovë

1. Kreshnik Hajdari – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

2. Lefter Maliqi – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

3. Ilirjan Koxhaj – “Partia Demokratike”;

Bashkia Kukës

1. Abedin Oruçi – “Partia për Europianizim dhe Integrimin e Shqipërisë”;

2. Admir Sinamati – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

3. Safet Gjici – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

Bashkia Kurbin

1. Behar Haxhiu – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

2. Majlinda Cara – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

Bashkia Lezhë

1. Pjerin Ndreu – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

2. Pashk Gjoni – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

Bashkia Libohovë

1. Leonard Hide – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

2. Adil Xhelili – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

Bashkia Librazhd

1. Mariglen Disha – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

2. Shefki Çota – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

Bashkia Lushnjë

1. Erisleda Sefa – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

2. Eduart Sharka – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

Bashkia Malësi e Madhe

1. Isa Ramaj – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

2. Tonin Marinaj – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

Bashkia Maliq

1. Alfred Gega – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

2. Gëzim Topçiu – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

Bashkia Mallakastër

1. Agron Kapllanaj – “Partia Demokratike”;

2. Qerim Ismailaj – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

3. Resmi Shanaj – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

Bashkia Mat

1. Skënder Gjuci – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

2. Agron Malaj – Partia Socialiste e Shqipërisë”;

Bashkia Memaliaj

1. Gjolek Guci – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

2. Albert Malaj – “Partia Socialiste e Shipërisë”;

Bashkia Mirditë

1. Ndrec Dedaj “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

2. Albert Mëlyshi – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

Bashkia Patos

1. Fation Duro – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

2. Pranvera Rizaj – Partia Demokratike”;

3. Safije Alushaj – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

Bashkia Peqin

1. Mustafa Pashja – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

2. Bukurosh Maçi – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

Bashkia Përmet

1. Edmond Komino – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

2. Alma Hoxha – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

Bashkia Pogradec

1. Zini Tolozhina – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

2. Ilir Xhakolli – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

3. Rezart Laraku – “Lëvizja e Re”;

Bashkia Poliçan

1. Florian Qama – “Partia Demokratike”;

2. Behar Xhaferraj – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

3. Adriatik Zotkaj – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

Bashkia Prrenjas

1. Nuri Bleba – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

2. Suzana Topi – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

Bashkia Pukë

1. Rrok Dodaj – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

2. Gjon Gjonaj – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

Bashkia Pustec

1. Pandi Jani – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

2. Pali Kolefski – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

Bashkia Roskovec

1. Erdit Hazizaj – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

2. Majlinda Bufi – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

Bashkia Rrogozhinë

1. Edison Memolla – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

2. Shkëlqim Hoxha – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

Bashkia Sarandë

1. Skënder Muço – “Partia Demokratike”;

2. Ardit Çikuli – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

3. Oltion Çaçi – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

4. Gjergj Mërkuri – kandidat i pavarur

Bashkia Selenicë

1. Nertil Bellaj – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

2. Leonard Rakipaj – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

Bashkia Shijak

1. Elton Arbana – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

2. Rezeart Tusha – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

Bashkia Shkodër

1. Benet Beci – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

2. Bardh Spahia – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

Bashkia Skrapar

1. Euglen Mustafallari – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

2. Adriatik Mema – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

Bashkia Tepelenë

1. Sokol Guga – “Partia Demokratike”;

2. Tërmet Peçi – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

3. Baftjar Imeri – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

Bashkia Tropojë

1. Besnik Duzhaj – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

2. Rexhe Byberi – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

Bashkia Vau i Dejës

1. Klomentina Drini – “Partia Demokratike”;

2. Kristjan Shkreli – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

3. Zef Hila – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

Bashkia Vlorë

1. Hysni Sharra – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

2. Ermal Dredha – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

Bashkia Vorë

1. Blerim Shera – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;

2. Indrit Hoxha – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;

Back to top button