PSD me aksion para Qeverisë, e quajnë Kurtin ‘veteran i rrejshëm’
Partia Socialdemokrate përmes një aksioni simbolik para Qeverisë, e ka quajtur kryeministrin Albin Kurti, si veteran të rrejshëm të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kryetari i kësaj partie, Dardan Molliqaj, ka thënë se viteve të fundit ka nisur një fushatë e re prej anës së pushtetit për t’u marrë me listat e veteranëve të UÇK-së. Tutje ai ka thënë se Kurti i sheh veteranët e luftës së UÇK-së si barrë për shtetin e Kosovës.
“Diskursi i pushtetit na bënë të kuptojmë që veterani është barra financiare mbi kurrizin e Republikës së Kosovës nga e cila duhet të çlirohet vendi. Por, kur barra është pikënisja, mirëqenia nuk është përfundimi. Po të ishte me të vërtetë i angazhuar pushteti që t’i verifikoj këto lista atëherë do të dinte edhe procesin nëpërmjet të cilit do të bëhej kjo gjë”, ka thënë Molliqaj.
Ai tutje ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka mashtruar për të fituar titullin e veteranit.
“Çka në fakt na mëson mungesa e procesit qëllimi i vërtetë i Kurtit që tash e ca kohë: denigrimi i veteranit të vërtetë. Edhe nëpërmjet atij të rrejshëm. Por, le të merremi me veteranin e rrejshëm që sot gjindet në krye të qeverisë. Kurti është angazhuar në UÇK në gusht të vitit 1998 dhe ka dhënë dorëheqje prej saj më 2 mars 1999. Siç edhe e parasheh ligji, veteranë është personi që ka qëndruar deri në fundin e luftës së UÇK-së. Ne e dijmë që lufta ka përfunduar në qershor, pra 3 muaj pasi Kurti ka dhënë dorëheqje. Po i njëjti ligj definon dhe dënimin që dikush e merr në rast falsifikimit të deklaratës së pjesëmarrjes në luftë. Ekzistojnë dëshmi materiale, me dokumente e deklarata, që tregojnë mashtrimin që Kurti ka bërë në mënyrë që të konsiderohet veteran i UÇK-së”, ka thënë Molliqaj.
Ai tutje ka thënë se prokuroria duhet të filloj menjëherë hetimin e këtij rasti “flagrant të falsifikimit”. “Nëse hetimi nuk fillon atëherë ne do të dorëzojmë kallëzim penal për këtë çështje”./21Media