PSD organizon protestë kundër shtrenjtimit të rrymës
Partia Socialdemokrate do të mbajë protestë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike më datën më 29 janar, duke filluar nga ora 14:00.
Kryetari i kësaj partie, Dardan Molliqaj, sot në një konferencë për media ka ftuar qytetarët t’i bashkohen kësaj proteste, teksa ka bërë të ditur se nga nesër fillon puna organizative dhe bisedimet edhe me partitë e mëdha opozitare në Kuvend.
“E kemi një qeveri të shndërruar në funksion dhe zëdhënës të KEDS dhe financues të humbjeve të saj me paratë tona. Bëjmë ftesë publike të gjithë atyre që janë kundër këtij vendimi që më 29 janar, në orën 14:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”, të shprehim pakënaqësitë tona. Atë ditë përfundon konsultimi publik dhe është para vendimit të ZRRE-së më 1 shkurt”, ka thënë Molliqaj.
Ndryshe, Zyra e Rregullatorit për Energji në raportin e fundit konsultativ ka bërë shqyrtimin për ndryshimin e tarifave të energjisë elektrike në Kosovë, në të cilin thuhet se do të këtë rritje të çmimit të rrymës për konsumatorët që shpenzojnë mbi 600 kilovatorë energji elektrike në muaj. Këtë propozim nuk e kanë mirëpritur bizneset, duke thënë se energjia po u shkakton humbje të mëdha.
Ndërsa, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka deklaruar se propozimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji për shtrenjtimin e rrymës është në diskutim publik. Sipas saj, ky propozim nuk është final dhe se do të jepen propozime shtesë nga qeveria.