PSD: Qëllimi është të na frikësojnë, por nuk zmbrapsemi

Partia Socialdemokrate, ka kërkuar lirimin e  menjëhershëm të Dardan Molliqajt dhe të aktivistit Adem Megjuani, të cilët sipas PSD-së po mbahen padrejtësisht në burg.
Sipas PSD-se, Molliqajt nuk i është treguar fletëarresti para se të arrestohet dhe as në stacion të policisë, kurse Megjuani iu përgjigj pozitivisht ftesës së pranuar nga policia dhe u paraqit në stacionin policor në kohën e caktuar sipas ftesës.
“Të lirohen menjëherë Dardan Molliqaj dhe Adem Megjuani të cilët po mbahen padrejtësisht në burg. Dardan Molliqaj nuk i është treguar fletëarresti para se të arrestohet dhe as në stacion të policisë. Asnjë ftesë për thirrje nuk i është dorëzuar Dardan Molliqajt sipas Procedurës së Kodit Penal. Dardani ka qenë në shtëpinë e tij dhe në zyrë. Ai ka vazhduar aktivitet e tij, takimet në qytet e konferencën për media në zyrë. Arrestimi i tij, me 60 policë, pak para emisionit televiziv, është politik. Pushteti dëshiron të hesht opozitën kritikuese. Ndërkohë, aktivisti Adem Megjuani iu përgjigj pozitivisht ftesës së pranuar nga policia dhe u paraqit në stacionin policor në kohën e caktuar sipas ftesës. Pavarësisht kësaj, ndaj tij u shqiptua masa e ndalimit prej 48 orëve”,  thuhet në reagim të PSD-së.
Sipas PSD-së, e gjithë kjo tregon që çështja nuk është aspak procedurale. “Qëllimi përfundimtar i një aksioni të tillë të arrestimit, me plot skandale e parregullsi është frikësimi. Por nuk frikësohemi, as nuk zbrapsemi”.
Policia e Kosovës mbrëmë pas arrestimit publikoi ftesën për paraqitje të cilën thotë se ia kishte dërguar Molliqajt.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj është arrestuar mbrëmë nga Policia e Kosovës. Ai është arrestuar derisa ishte duke shkuar në një emision televiziv.
Molliqaj është ndaluar nga disa pjesëtarë të policisë, të cilët e kanë futur në veturë.
Kreu i PSD-së kishte goditur shuplakë një pjesëtar të Policisë së Kosovës në protestën kundër shtrenjtimit të rrymës. Molliqaj kishte thënë në lidhje me incidentin se përgjegjësia i bie atij, porse ai ishte ofenduar me fjalë nga zyrtarët policorë./21Media
Back to top button