PSD synon të financohet nga shteti, kundërshtojnë dy partitë tjera opozitare

Demahsaj tha se Partisë Socialdemokrate duhet t’i jepet e drejta që të kompensohen

Aderimi i ish deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje tek Partia Socialdemokrate i ka lënë këta të fundit pa marr fonde nga buxheti i shtetit. PSD edhe pse tashmë parti parlamentare nuk merr asnjë ‘monedhë’ nga fondi i demokratizimit që vjen nga Komisioni Qendror Zgjedhor.

Lëvizja Vetëvendosje edhe pse në Parlamentin e Kosovës qysh në fillim të vitit të kaluar i ka pasur 19 deputetë ka marrë mbi 1.1 milion euro në vit duke u llogaritur për 32 sosh.

Kjo për organizatën joqeveritare, “Çohu” është e palogjikshme dhe pa paarsyeshme.

Drejtori i kësaj organizate, Arton Demahsaj tha se Partisë Socialdemokrate duhet t’i jepet e drejta që të kompensohen dhe të kenë të mundësi që përmes fondit të demokratizimit të zhvillojnë dhe të qojnë tutje partinë e tyre që kanë krijuar.

Mirëpo, këtë e kundërshtoi Lëvizja Vetëvendosje. Kjo parti vlerësoi se kjo është një precedent që mund të ndikojë negativisht në shpërfaqjen e vullnetit të qytetarëve.

Deputetja nga radhët e kësaj partie, Arbërie Nagavci tha se PSD ka qenë një subjekt, i cili ka kandiduar në kuadër të koalicionit PAN dhe nuk i ka fituar zgjedhjet.

Siç tha ajo, në rast të financimit të kësaj partie nga buxheti i shtetit, do të ishte një shembull jo i mirë për të ardhmen që e vë në mëdyshje vullnetin e qytetarëve.

Ndërsa, për shefin e grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hotin, kërkesa e PSD-së për financim nga buxheti i shtetit është më shumë një problem konceptual sesa buxhetor.

Për këtë arsye, Hoti i doli në mbështetje VV-së, duke theksuar se kur e fiton mandatin brenda një partie politike, duhet respektuar qëndrimet e asaj partie.

Mes tjerash, i  pari i deputetëve të LDK-së tha se duhet pasur një ligj të mirë që e rregullon gjithë mënyrën qysh financohen partitë politike.

Sipas tij, duke mos i bërë transparente mënyrën si financohen, po krijohet një situatë e një gare të pabarabartë mes partive politike.

Ndërkaq, zyrtarët e Partisë Socialdemokrate kanë qenë të pa qasshëm për t’u deklaruar ndaj kësaj çështjeje.

Përndryshe, edhe në të kaluarën ka pasur raste kur çështja e ndarjes së mjeteve financiare ka qenë problematike. Rasti i parë kishte ndodhur kur Nexhat Daci me deputetët e Lidhjes Demokratike të Dardanisë nuk kishin pasur mundësi të merrnin hise nga buxheti i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Të njëjtin fat e kishin pasur edhe deputetët e Lëvizjes për Bashkim, kur ishin ndarë nga Lëvizja Vetëvendosje, sikundër edhe ata të Nismës kur ishin ndarë nga PDK.

Back to top button