Pse mbahen sekret pagat e futbollistëve në Kosovë?

Mund të dimë në detaje për kontratat dhe pagat e yjeve botëror të futbollit si Lionel Messi, Cristiano Ronaldo e të tjerë, por jo edhe për futbollistët e Superligës së Kosovës.

Kjo për arsye se as lojtarët e as klubet e tyre me të cilat nënshkruajnë kontrata nuk preferojnë që të shpalosin detaje mbi lartësinë ose mënyrën e pagesës.

Megjithatë, siç thotë ish-Sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, mbajtja sekrete e pagës nuk përbën asnjë shkelje ligjore, madje as në normativën ligjore të FIFA-s.

“Së pari dihet që FIFA ka lansuar një platformë digjitale e cila quhet TMS (Transfer Matching System) ku evidentohen gjithsesi kontratat, vërtetohen me lojtarët profesionist dhe aty është pak konfidenciale sepse nuk guxon të publikohen të dhënat. Madje, kur kemi hyrë në vitin 2010 është dashur që çdo anëtar i klubit ta nënshkruajë një kontratë konfidenciale që i përgjigjet ligjit zviceran për mbrojtjen e të dhënave. Do të thotë prej viti 2010 çdo kontratë është funksionale, është e regjistruar aty. Në aspektin juridik nuk ka dikush, ndonjë klub privat nuk ka ndonjë obligim të tregojë se sa kushton për arsye se ata i paguajnë, por edhe klubet që janë shoqëri aksionare, edhe klubet që janë OJQ, nuk janë të obliguara që publikisht t’i bëjnë kontrata sepse nuk po i jep ti paratë”, ka thënë Salihu.

Nga ana tjetër, analisti i futbollit Arsim Plepolli konsideron se paga është çështje private dhe është e drejtë e secilit lojtar që ta mbajë atë sekrete. Sipas tij, ajo është një kontratë pune dhe nuk ka pse të bëhet publike.

“Çdo kontratë e çdo futbollisti është çështje private e tij me klubin. Nëpër klube të mëdha i bëjnë transparente është ndoshta në interesin e tyre sepse aty dihet që bëhen kontrata me miliona dhe nuk kanë çfarë të fshehin janë lojtarë të cilët i njeh e gjithë bota, ndërsa tek ne hezitojnë shumica e lojtarëve të tregojnë sa e kanë pagën, sa e ka bërë kontratën, një vjeçare, është e drejtë e tyre legjitime dhe nuk mundet askush të shtyjë të tregojë sa e ka pagën nëse nuk dëshiron vet ta bëjë publike. Kështu që kontratat duhet të jenë valide, duhet të jenë të verifikuara në federatë, duhet t’i kenë fotokopjet si lojtari si klubi, është si kontratë punë thjeshtë”, tha Plepolli.

Për analistin Arben Zeqiri, transparenca mbi kushtet e kontratave të lojtarëve është mëse e nevojshme. Ai thotë se edhe në këtë aspekt duhet të merren shembull klubet evropiane dhe funksionimi i tyre.

“Sigurisht që po, për opinionin do të ishte më e pranueshme, gjithashtu edhe për vet futbollistët sigurisht për arsye të transparencës nuk diskutohet. Meqë shumicën e klubeve të Evropës i marrim shembull për organizimin, për qasjen dhe shumëçka tjetër, pse të mos i merrnim shembull në këtë drejtim në mënyrë që gjithçka të jetë transparente dhe edhe kjo do të ishte një temë diskutimi nga njohësit e futbollit për kontributet e futbollistëve për atë çfarë japin në fushë e kështu me radhë.”, tha Zeqiri.

Madje, Zeqiri vlerëson se pagat e lojtarëve në Kosovë sot janë shumë më të larta se sa që ata e meritojnë për rendimentin që japin në fushën e lojës.

“Pa diskutim që po, në kohën kur kemi luajtur ne, periudha 1999-2014 kanë qenë paga mesatare, po thuajse e ngjashme me pagën mesatare të qytetarëve ose shërbyesve civil në Kosovë. Ndërsa tani, pagat janë të futbollistëve optimale, në shumicën e rasteve shumë futbollistë janë të mbipaguar duke u bazuar në rendimentin e tyre në fushë dhe paraqitjet e tyre në fushën e lojës. Tani futbollisti jeton me dinjitet, e ka pagën pagë, të sigurt, pavarësisht vonesave që kanë klubet aty-këtu, mund të kenë sepse shumica janë private, megjithatë i marrin pagat dhe asnjëherë nuk guxon klubi t’iu mbetet borxh lojtari, e që në të kaluarën ka qenë krejt e kundërta.”, ka thënë Zeqiri.

Megjithëse nuk ka të dhëna zyrtare, vlerësohet se paga mesatare e futbollistëve në Superligën e Kosovës mund të jetë rreth 2000 euro në muaj./kp

Back to top button