PSG i vendos çmimin Donnarummas

Ndërsa dalin më shumë detaje rreth mënyrës sesi Paris Saint-Germain po përpiqet të detyrojë Gianluigi Donnarumma të largohet, raportohet se klubi parisien është i gatshëm të pranojë një ofertë prej 20-30 milionë eurosh nga Manchester United, Chelsea apo Manchester City.
E ardhmja e portierit italian në Paris është vënë seriozisht në dyshim pasi palët nuk arritën marrëveshje për rinovimin e kontratës aktuale, e cila skadon në qershor të vitit 2026.
Duke parë situatën, PSG ka lëvizur shpejt në afatin kalimtar, duke investuar 40 milionë euro për të siguruar shërbimet e Lucas Chevalier, që pritet të jetë zëvendësuesi i Donnarummës.
Mesazhi i PSG-së është bërë edhe më i qartë sot, pasi portieri italian u la jashtë skuadrës që udhëtoi drejt Italisë për ndeshjen e Superkupës së Evropës ndaj Tottenham Hotspur, që do të luhet të mërkurën në Udine.
Sipas RMC Sport, kjo nuk është e vetmja lëvizje e klubit për ta shtyrë lojtarin drejt daljes, Donnarumma është lënë mënjanë edhe gjatë seancave stërvitore, duke mos qenë pjesë e grupit kryesor.
Mesazhi është i qartë: PSG nuk do ta lejojë ta kalojë sezonin në stol për të larguar më pas si lojtar i lirë.
Në anën tjetër, përfaqësuesit e portierit italian kanë bërë të ditur se ai nuk do të largohet nën presion dhe se do të pranojë një transferim vetëm në kushte të përshtatshme për të.
Destinacioni më i mundshëm duket të jetë Liga Premier, pasi asnjë klub në Itali nuk mund të përballojë pagën prej 12 milionë eurosh në sezon që përfiton Donnarumma.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?