Publikohet oferta e re e VV-së për LDK-në

Parashihet të rritet numri i ministrive, zëvendëskryeministri i parë t’i takojë LDK-së dhe një formulim i përbashkët për çështjen e Presidentit bazuar në draftin e LDK-së

Oferta e re e Vetëvendosjes për koalicionin qeverisës ka thyer premtimin e fushatës zgjedhore të partive fituese që të përgjysmohen ministritë nga Qeveria e kaluar. Tani Vetëvendosje ka propozuar që numri i ministrive të rritet në 14, duke i ofruar LDK që të jetë në krye të 6 ministrive, atyre tu mbesin 5 ministri ndërsa 3 ministri t’i takojnë minoriteve. Më këtë rast Vetëvendosje i ka ofruar LDK-së edhe zëvendëskryeministri e parë. Në këtë pako po ashtu Vetëvendosje ka propozuar që të bëhet një formulim i përbashkët për çështjen e Presidentit të Republikës së Kosovës bazuar në draftin fillestar nga LDK.

Oferta që VV i ka bërë LDK-së, është bërë publike nga nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Bisnik Bislimi përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”. Ai ka bërë të ditur se ky propozim i është dërguar mbrëmë me shkrim kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa.

Grupet punuese nga dy partitë VV dhe LDK menjëherë pas publikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 6 tetorit ishin mbledhur në gjashtë takime me radhë për të harmonizuar programin për zvogëlimin e numrit të ministrive në 12 nga 21 sa ishin në qeverisjen e kaluar. Kjo sipas Instituti për Studime të Avancuara (GAP) do t’i kursente buxhetit të Kosovës 15.5 milionë euro. Megjithëkëtë tani është propozuar nga VV që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të ndahet, ashtu që Kultura dhe Rinia i bashkëngjiten Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ndërsa Sporti i bashkëngjitet Ministrisë së Shëndetësisë. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal janë dy nga tri ministritë që janë planifikuar t’i jepen pakicave. Ministria e tretë është ajo për Komunitete.

Ndërsa për postin e Presidentit i cili do të jetë i lirë nga viti 2021, për të cilin LDK ngul këmbë tash e tre muaj nga diskutimet për bashkëqeverisje, VV në ofertën e fundit ka propozuar që të bëhet një formulim i përbashkët bazuar në draftin fillestar nga LDK që përfshin qëndrimin karshi presidentit aktual, përpjekjen për koncensus dhe kufizimin karshi ujdive eventuale me ish PAN-in

Siç thotë Bislimi, Vetëvendosje beson se është bërë edhe një kompromis “shumë i madh”, meqë sipas tij, gatishmëria për të rritur numrin e ministrive, vetëm do ekspozojë me pakënaqësitë e opinionit publik. Beslimi thotë se shpreson që LDK ta pranoi propozimin e tyre dhe pa humbur kohë ta formojmë qeverinë.

Kujtojmë që Kryetar i Kuvendit është zgjedhur Glauk Konjufca nga Vetëvendosje. Ndërsa Presidenti, Hashim Thçi ende është në pritje të VV për caktimin e mandatarit për kryeministër./21Media

Back to top button