Publikohet raporti dyjavor: Vdekshmëria te të pavaksinuarit është në mënyrë drastike më e lartë

Ministria e Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut ka publikuar analizën dyjavore të të vaksinuarve nga rastet pozitive me COVID-19.
Për të vaksinuar konsiderohen personat që kanë pranuar dy doza të vaksinës.
Gjatë periudhës prej 06.08.2021 deri 19.08.2021, në territorin e shtetit 9 mijë e 881 qytetarë janë pozitivë nga të testuarit për COVID-19, nga ata vetëm 15% janë vaksinuar në tërësi, gjegjësisht 1 mijë e 507 persona. Është i madh numri i të pavaksinuarve të cilët janë infektuar me COVID-19. Sipas statistikës dyjavore, 8 mijë e 374 qytetarë pozitivë në koronavirus nuk kanë qenë të vaksinuar. Përqindja e personave të hospitalizuar të cilët janë të pavaksinuar, arrin në 91%, ndërsa vetëm 9% prej gjithsej 724 pacientëve që janë të hospitalizuar për momentin, janë plotësisht të vaksinuar.
“Vdekshmëria te të pavaksinuarit është në mënyrë drastike më e lartë”, tregon analiza.
Gjatë dy javëve, në territorin e Maqedonisë së Veriut kanë vdekur 101 persona me COVID-19, 92 prej tyre nuk kanë qenë të vaksinuar, kurse vetëm 8% kanë pranuar vaksinë. Sipas analizave, viktimat kanë pasur më shumë sëmundje kronike.
“Ministria e Shëndetësisë tregon për rëndësinë e vaksinimit. Çdo vaksinë që e kemi në dispozicion është e sigurt, e ul gjasën nga sëmundja, parandalon formë të vështirë të sëmundjes dhe mbron nga pasojat me vdekje. Ministria e Shëndetësisë apelon për vaksinim. Vetëm kështu do të arrijmë në imunitet kolektiv dhe do të parandalojmë shpërndarjen e mutacioneve të SarsCov2”, thuhet në njoftim./TV21.

Back to top button