Punëtorët arsimorë nesër në protestë

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës ka mbajtur mbrëmë takim me kryetarët nivelit komunal sindikal dhe të universiteteve.
Në takim është marrë vendim që të premten mos të punojnë shkollat, pasi siç kanë bërë të ditur nga SBASHK-u, punëtorët arsimorë do të jenë pjesë e protestës së thirrur nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, më 20 maj.
“SBASHK-u shpreh keqardhje për gjendjen e krijuar e cila është pasojë e mungesës së gatishmërisë së Qeverisë për dialog dhe për angazhim në zgjidhjen e kërkesave legjitime të punëtorëve në arsim, që nga çerdhet e deri në Universitete e kulturë, por edhe në sektorët tjetër. Përfaqësuesit e Këshillave të prindërve i ftojmë të jenë pjesë e protestës sonë me qëllim që të forcohet zëri i përbashkët drejtuar Qeverisë që të dialogojë me sindikatat dhe të angazhohet për zgjedhjen e kërkesave të tyre legjitime”, thuhet në njoftim.
“Po ashtu apelojmë të prindërit që për hir të sigurisë së fëmijëve të tyre nesër mos t’i nisin për në shkollë sepse shkollat janë pa personelin arsimor , të cilët pa fajin e tyre janë të detyruar të protestojnë në përpjekje për realizimin e kërkesave të tyre . Në këtë protestë do të jenë edhe anëtarësia e SBASHK-ut nga të gjitha Universitetet e Kosovës, kurse nga anëtarësia jonë në çerdhe kërkojmë mirëkuptim në mënyrë që puna atje të mos ndalet nesër, por përfaqësues nga këto institucione të marrin pjesë në protestë pa e cenuar rrjedhën e procesit të punës në çerdhe. Të lutemi bashkë që Qeveria të reflektojë dhe të mos kemi arsye të shkojmë drejt veprimeve edhe më radikale”, thuhet tutje në njoftim./21Media

Back to top button