Punëtorët e KEDS-it në grevë dhe protestë

Greva dhe protesta bëhen për dy kërkesa

Federata e Sindikatave të Pavarura “ElektroKosova” sot në një konferencë për media ka sqaruase se nesër prej orës 08:00 deri në orën 16:00, punëtorët e KEDS do të futen në grevë në të gjitha distriktet. Kërkesat e tyre janë ngritja e pagave dhe zbatimi i marrëveshjes kolektive.

Kryetari i kësaj sindikate, Hysni Gashi tha se situata në KEDS është mjaft e rëndë, sepse është duke u bërë një nëpërkëmbje të punëtorëve në këtë kompani.

“Duke parë situatën se KEDS nuk ka reflektuar nga grevat e mbajtura javë më parë, sërish grevat janë të pashmangshme, ku nesër do të ketë grevë një ditore të punëtorëve të KEDS në gjithë Kosovën”, ka thënë Gashi.

Kryetar i këshillit të Grevës,  Fehmi Pajaziti ka thënë se prej orës 08:00 deri në orën 16:00 do të ketë grevë, ndërsa protesta do të mbahet para Qeverisë dhe Kuvendit në Prishtinë prej orës 13:00.

Ai tha se i kanë dy kërkesa, zbatimi i Marrëveshjes Kolektive dhe ngritja e pagave për çdo punëtor nga 150 euro. Ai tha se pas kësaj greve dhe proteste nëse nuk do të ketë reflektim nga menaxhmenti i KEDS do të ashpërsohen protestat ku do të ketë kaos energjetik.

Back to top button