Punëtorët e sektorit privat kërcënojnë me protesta

Kërkojnë rritje të pagave dhe zbatimi i ligjit të punës

Udhëheqja e Sindikatës së Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës sot në zyrat e BSPK–së në ora 14:00 mban takim me kryetarë të disa shoqatave ku do merret vendim për fillimin e protestave dhe grevave për punëtorët e sektorit privat. Kërkesat e tyre janë rritja e pagave dhe zbatimi i ligjit të punës, marrëveshjes kolektive etj.

Ditë më parë, Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës kishte mbajtur një takim ku ishte biseduar për kushtet e rënda të punëtorëve të këtij sektori. Në atë takim u theksua se ka ende punëtorë që paguhen ende me pagë 130 dhe 170 euro. Ata kërkojnë kushte më të mira të punës dhe paga mbi 350 euro.

Paga minimale në Kosovë, ndonëse sipas Ligjit të punës do të duhej të përcaktohej çdo vit, që nga viti 2011 vazhdon të jetë 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç./21Media

Back to top button