Punëtorët shëndetësor e quajnë skandaloz vendimin për pagën shtesë

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës sot ka reaguar ndaj vendimit të qeverisë, e cila ka ndarë 2.7 milionë euro për stafin mjekësor.
FSSHK ka shprehur indinjatën dhe zhgënjimin e thellë të punëtorëve shëndetësor në lidhje me këtë vendim dhe ka theksuar se punëtorët shëndetësor kanë punuar dhe ofruar shërbime shëndetësor edhe gjatë muajve qershor dhe korrik 2021.
Sipas FSSHK-së, me këtë rast është shkelur Ligji nr.07/L-006  për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës respektivisht neni 20 në të cilin parashihet shtesa në pagë për të punësuarit në sektorin e shëndetësisë gjatë Pandemisë COVID-19.
“Me këtë Vendim Qeveria në sy të popullit po mundohet të tregohet populliste dhe mbështetëse kinse e punëtorëve shëndetësor por në fakt ky është vetëm një degradim i rradhës. FSSHK pas përpjekjeve të vazhdueshme për të zhvilluar dialogun social me Ministrinë e Shëndetësisë si dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës i drejtohet popullatës së gjerë e në veqanti punëtorëve shëndetësor se vendimi i sotëm është skandaloz dhe dekurajues,do të kishte qenë më e udhës që mos të përmenden fare shtesat e të punohet intenzivisht në hartimin e Ligjit të Pagave i cili është jetik për punëtorët ne sektorin publik e në veqanti për punëtorët shëndetësor.”, është bërë e ditur në komunikatën e Federatës.
FSSHK ka informuar se në javën tjetër do të mblidhet Këshilli Drejtues si organ më i lartë vendimmarrës për të vendosur në lidhje me reagimet sindikale.
“Në fund me këtë qasje të Qeverisë së Kosovës kundrejt punëtorëve shëndetësor nuk do të ketë paqe sociale dhe për të gjitha dëmet e shkaktuara përgjegjëse do të jetë Qeveria e Republikës së Kosovës. FSSHK do të gjej modalitetin e ragimit sindikal duke mos cënuar dhënien e shërbimeve shëndetësore për popullatë e gjerë.”, ka bërë të ditur tutje FSSHK.
Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur sot, ka ndarë 2.7 milionë euro për stafin mjekësor. Me anë të këtij propozim-vendimi, sipas qeverisë, do të mbështetet stafi mjekësor në sektorin publik me pagë shtesë prej 10% të pagës së rregullt bruto, jo më pak se 60 euro, për muajt gusht, shtator dhe tetor të vitit 2021./21Media
 

Back to top button